Një bisedë e regjistruar midis dy pilotëve të një Boeing 787 të Air India që u rrëzua në Ahmedabad të Indisë muajin e kaluar tregon se ishte piloti më me përvojë, kapiteni, ai që ndërpreu karburantin në motorë, raportoi të mërkurën Wall Street Journal.
Gazeta citoi burime amerikane të njohura me vlerësimin fillestar të të dhënave të mbledhura dhe të analizuara për aksidentin tragjik ku humbën jetën 260 persona në bord dhe në tokë më 12 qershor.
Sipas raportit, bashkëpiloti e pyeti kapitenin me përvojë të lartë pse i kishte çuar çelësat që rregullonin fuqinë e të dy motorëve në pozicionin “ndërprerës”, sekonda pasi avioni, i cili do të fluturonte për në Londër, u ngrit nga pista.
Bashkëpiloti ishte 32 vjeçari Clive Counder, me 3.403 orë përvojë fluturimi, ndërsa kapiteni ishte 56 vjeçari Sumit Sabawal, me 15.638 orë përvojë fluturimi.
Ndërkohë dyshohet se Sumit Sabawal kishte vuajtur nga depresioni vitet e fundit.
Eksperti indian i sigurisë së aviacionit Mohani Ranganathan tha Daily Telegraph se disa pilotë të tjerë të Air India kishin dëshmuar se kapiteni i fluturimit fatal kishte probleme psikologjike.
Sipas raportit paraprak të hetimit të aksidentit, të publikuar të shtunën nga Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë (AAIB), avioni po udhëtonte me 333 kilometra në orë dhe sapo ishte ngritur kur çelësat e fuqisë së të dy motorëve u kthyen nga pozicioni “i ndezur” në pozicionin “i ndërprerë”, me një sekondë diferencë. Raporti nuk specifikoi se nga kush.
Motorët humbën menjëherë të gjithë fuqinë. Raporti paraprak nuk përcaktoi fajin për aksidentin, por vuri në dukje se njëri nga pilotët e pyeti tjetrin pse e kishte ndaluar furnizimin me karburant të motorëve, ndërsa ai iu përgjigj se nuk e kishte bërë.
Aeroplani humbi lartësinë dhe u përplas me ndërtesat brenda gjysmë minute. Në mbeturinat e mbledhura pas rrëzimit, çelësat u gjetën të kthyer në pozicionin “në punë”.
Të dhënat nga regjistruesi i të dhënave të fluturimit tregojnë se motorët u rifilluan pak para rrëzimit, por ishte tepër vonë për ta parandaluar atë.