“Ndihmom o vëlla se vdiqa”.
Dita e 17 marsit ishte tragjike për kryeqytetin austriak kur si pasojë e shembjes së konstrukteve të betonit (plloça e betonit) të disa ballkoneve humbën jetën katër punëtorë, ndër ta: tre shtetas nga Kosova dhe një qytetar nga Novi Pazari. I vetmi që ka shpëtuar nga kjo ngjarje tragjike ishte një shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Edhe pse ka kaluar afër një javë nga ky ksident i rëndë, ende nuk ka qenë i ditur për opinionin identiteti i tij. Platforma mediale shqiptare në Austri, albinfo.at, ka arritur të sigurojë edhe emrin e të lënduarit.
Shqiptari i lënduar është Nazmi Muharremi, 45 vjeç nga fshati Mateç, komuna e Kumanovës. Prej shumë vitesh banues në Vjenë bashkë më familjen e tij.
Albinfo.at ka vizituar sot spitalin „Unfallkrankenhaus“ në Meidling (Bezirku 12) në Vjenë, aty ku Nazmiu po merr trajtimet intensive mjekësore.
Pasi sipas rregullores së spitalit nuk na u lejua hyrja në spital për të vizituar të lënduarin Nazmiun, para derës së spitalit takuam vëllain e tij, Elmazin, bashkë me disa familjarë të tjerë. Elmazi ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje dhe njeherësh “heroi” i vetëm i cili pa kursyer veten, arriti që nga rrënojat të nxirrte vëllain e tij dhe t’ia shpëtonte jetën.
I tronditur ende nga ngjarja që kishte parë më sy, Elmazi tregon që gjendja shëndetësore e Nazmiut është stabile. “Gjendja shëndetësore e Nazmiut është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Është i lënduar në mushkëri, brinjë dhe në njërin krah. Lëndimet tjera trupore janë më të vogla. Vetëdijen e ka të plotë dhe çdo ditë duket se shëndeti i tij është duke u përmirësuar”, tha fillimisht ai.
Sipas Elmazit, pallati ku ishin duke punuar është ndërtim i vjetër dhe është duke u rinovuar. Apartamentet nuk kishin ballkone. Me renovimin e ri, është planifikuar të ndërtohen ballkone për secilin apartament në pjesën e brendshme të pallatit, pra në pjesën e oborrit.
Plani ishte të betonohen gjashtë ballkone të atij pallati për gjashtë apartamente. Prej kompanisë kontraktuese u është thënë që të fillohet ndërtimi i ballkoneve nga kati i epërm dhe të vazhdohet më katet e poshtme. Gjithnjë siç rrëfen Elmazi, atë ditë ata i kanë betonuar tre ballkone dhe ishin duke punuar në ballkonin e katërt.

“Ndihmom o vëlla se vdiqa”
Si dëshmitar i gjithë ngjarjes tragjike, Elmazi tregon për gjithë tmerrin që ka parë me sy dhe si arriti të shpëtojë të gjallë vëllain e tij, Nazmiun.
“Në ato momente unë isha poshtë, tek dera e hyrjes së pallatit. Papritmas kam dëgjuar britma të mëdha të kolegëve. Kam shikuar se çfarë ndodhi, dhe kam parë që i gjithë konstruksioni i ballkoneve duke përfshirë betonin, drunjtë, hekurat dhe gjithçka tjetër ka rënë në tokë. Nën gjithë ato rrënoja ishin edhe vëllai im e katër kolegët e punës. Nuk dëgjohej asnjë zë më.
I shokuar kam vrapuar sipër shkallëve duke bërtitur emrin e vëllait me shpresën që mos rastësisht është diku lartë. Pasi nuk e gjeta, kam zbritur sërish poshtë në oborr, te rrënojat. Unë vazhdoja të thërrisja emrin e vëllait dhe befasisht kam parë në një gërmadhë helmetën e punës. Kur jam afruar, kam dëgjuar një zë që thërriste: “Ndihmom o vëlla se vdiqa“. Aty e kam kuptuar se është Nazmiu. Nuk më ka interesuar fare rreziku i jetës sime dhe kam marrë menjëherë për t’i larguar rrënojat. Kur kam gjetur trupin e tij, kam parë që lidhëza e kapeles së xhaketës që kishte veshur, i ishte lidhur te fyti. Merrte frymë vetëm me një pjesë të vogël të gojës. Kam arritur t`ia këpus lidhësen dhe ngadalë bashkë me një koleg boshnjak, më ka ndihmuar që ta nxjerrim të gjallë jashtë gërmadhave. Në gjithë trupin ishte i gjakosur dhe i lënduar. Disa brinjë i kishte të thyer, dorën e palëvizshme, por fatmirësisht arriti ta normalizojë frymëmarrjen“, rrëfen Elmazi gjithë rastin tragjik. Ai thotë se i gjithë aksioni i tij për të shpëtuar të vëllain ka zgjatur afërisht 8-10 minuta.
„Bashkë me kolegun kemi tentuar të hymë në gërmadha për të nxjerrë edhe trupat e tjerë të tragjedisë, por në ato momente ka ardhur policia dhe emergjenca dhe nuk kanë lejuar të afrohej askush tjetër derisa kanë intervenuar njësitë e shpëtimit“, thotë 49 vjeçari, Elmaz Muharremi.

Pas gjithë kësaj tragjedie, kush është fajtori?
Një pyetje e vazhdueshme që bëhet, është për të gjetur fajtorin e gjithë kësaj tragjedie. Për këtë, Elmazi shprehet: „Unë nuk e di se kush është fajtori, sepse këtë do ta dëshmojnë ekspertet e kësaj fushe. Për bindjen time, gabimi ishte te kompania kontraktuese e cila na ka urdhëruar që ballkonet të betonohen duke filluar nga kati i epërm. Pesha e rëndë e betoneve pa i dhënë kohë për tu forcuar dhe duke punuar me shpejtësi për të kursyer punëtorët, kohën dhe mjetet e punës, ka bërë që betonet mos ta kenë forcën e nevojshme dhe si pasojë, i gjithë konstruksioni i ballkoneve është shembur“, thotë ai për albinfo.at, duke shtuar se, dëshmitari kryesor i cili ka parë nga lartë gjithë ngjarjen e tragjedisë është drejtuesi i vinçit si dhe kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vinç.
I mllefosur me institucionet maqedonase, Elmazi thotë se nuk kanë pasur asnjë mbështetje qoftë edhe morale për këtë aksident. „Nuk kemi pasur as edhe një telefonatë, as nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Austri dhe as nga ndonjë politikan shqiptar nga Maqedonia. Kur vjen koha e zgjedhjeve kërkojnë nga diaspora të mbushin autobusët për të shkuar me votuar, ndërsa kur vjen momenti për mbështetje, as që e çajnë kokën për qytetarët e tyre në mërgim“.
Pas gjithë kësaj ngjarje tragjike, Elmazi ndihet i lumtur që ka arritur të shpëtojë vëllain e tij, por me lot në sy, ai shprehu ngushëllimet për familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. „Vëllai shpëtoi por humba katër shokë të mi. Ngushëllime ma të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e tyre. Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi qe të gjejmë forcën për të përballuar bashkërisht humbjen e tyre“, theksoi ndër të tjera, Elmaz Muharremi.

Ngjarja tragjike e Vjenës ka tronditur opinionin e gjerë austriak dhe komunitetin shqiptar në Austri. Hetimet e autoriteteve shtetërore austriake janë duke vazhduar për të nxjerr një raport të detajuar rreth këtij aksidenti të tmerrshëm dhe vdekjeprurës./Albinfo.ch