Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Bagheria të Siçilisë, ku Simona China, 20 vjeçe, u gjet pa jetë në pishinën e një vile private gjatë një feste diplomimi. Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje dhe ka lënë të shokuar komunitetin vendas, ku Simona ishte e njohur si një sportiste e dashur dhe aktive në volejboll, pjesë e ekipit ACDS Capacense deri vitin e kaluar.
Presidenti i klubit, Paolo Di Maggio, e kujtoi me lot në sy: “Ishte një vajzë e qeshur, e përkushtuar dhe shumë e dashur nga të gjithë. Ajo e donte volejbollin dhe i mësonte edhe fëmijët e vegjël. Nuk e besojmë që nuk është më.”
Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se Simona ra aksidentalisht në pishinë dhe nuk arriti të dilte. Por familja ka ngritur dyshime serioze për rrethanat e vdekjes. Avokati i tyre, Gabriele Giambrone, theksoi se askush nuk e vuri re trupin në ujë për një kohë të gjatë, pavarësisht se pishina ishte e vogël dhe festa po zhvillohej me dhjetëra të ftuar.
“Pozicioni i trupit nuk përputhet me një rënie të thjeshtë,” tha Giambrone, duke shtuar se prindërit nuk u njoftuan nga organizatorët, por nga një telefonatë e rastësishme ku një person i panjohur u tha vetëm: “Simona nuk është mirë.”
Për më tepër, boshllëqet në kronologji shtojnë dyshimet. Shoqja më e mirë e Simonës ishte larguar nga festa rreth orës 3 të mëngjesit, ndërsa koha e saktë e aksidentit mbetet e paqartë. Gjithashtu, vila ku ndodhi festa rezultoi jashtëzakonisht e pastër dhe pa gjurmë alkooli, ndonëse disa të rinj ishin ende të lagur nga pishina.
Autoritetet kanë urdhëruar autopsinë dhe analizat ADN pas gjetjes së gjurmëve të gjakut në vendngjarje. Një i ri që deklaroi se ishte plagosur pasi u hodh në pishinë, është marrë në pyetje.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, familja China kërkon me ngulm zbardhjen e plotë të misterit që rrethon humbjen tragjike të vajzës së tyre.