Një aktivitet sportiv në natyrë ka përfunduar në tragjedi në Klos, ku një 33-vjeçar humbi jetën pasi ra në lumin Mat gjatë ngjitjes me litar. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të kërkim-shpëtimit, trupi i tij ende nuk është nxjerrë nga uji.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës pranë urës së Vashës, në Klos. Viktima është identifikuar si Erkin Lika, i cili po kryente një aktivitet ngjitjeje me litar, kur dyshohet se humbi ekuilibrin dhe ra në ujërat e lumit Mat.
Sipas të dhënave paraprake, 33-vjeçari dyshohet se është tërhequr nga një gropë e thellë me rrymë thithëse në një segment të lumit, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, shkruan RTSH.
Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, në vendngjarje mbërritën forca të shumta të kërkim-shpëtimit, përfshirë edhe palombarët e repartit RENEA, të cilët nisën operacionin për gjetjen dhe nxjerrjen e trupit nga uji.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, deri tani kërkimet nuk kanë dhënë rezultat dhe trupi i pajetë i 33-vjeçarit ende nuk është nxjerrë nga lumi. Autoritetet vijojnë operacionin në zonën pranë urës së Vashës, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.