string(70) "tragjedi-ne-indi-perplaset-avioni-i-air-india-me-242-pasagjere-ne-bord"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 11:18

Tragjedi në Indi: Rrëzohet avioni i Air India me 242 pasagjerë në bord

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 11:18

Një avion i kompanisë Air India është rrëzuar dhe përplasur sot në qytetin Ahmedabad të Indisë perëndimore. Sipas India Today, përplasja ka ndodhur pak pas ngritjes në ajër të avionit, ndërsa është bërë e ditur se avioni – një Boeing 787-8 Dreamliner – i fluturimit AI171, ishte nisur nga Ahmedabad me destinacion Londër Gatwick.

Sipas informacioneve të para nga policia, në bordin e avionit ndodheshin 242 pasagjerë. Ndërsa, pamje dramatike nga vendngjarja tregojnë mbeturinat e avionit në flakë dhe tym të zi që ngrihet në qiell. Si dhe duken ambulanca dhe ekipe të shpëtimit që janë duke transportuar të plagosurit.

Deri më tani autoritetet kanë njoftuar për 30 viktima, ndërsa pritet që numri të rritet.

Air India ka publikuar një deklaratë ku thotë se është në proces të mbledhjes së informacioneve dhe do të japë përditësime në faqen e saj zyrtare airindia.com dhe në llogarinë në X, ndërsa sipas burimeve, India Today shkruan se në bord ndodhej edhe ish-kryeministri i shtetit Gujarat, Vijay Rupani.

Sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, avioni i pasagjerëve Boeing 787-8 kishte regjistrimin VT-ANB, dhe kishte fluturuar më herët gjatë ditës nga Delhi drejt Ahmedabadit.

Ndërkohë, edhe drejtoria e Aviacionit Civil (DGCA) ka publikuar një deklaratë, duke konfirmuar përplasjen tragjike.  Nga drejtorja kanë njoftuar se kopiloti kishte dhënë një sinjal emergjence drejt Kontrollit të Trafikut Ajror.  Por, pas këtij sinjali, nuk kishte pasur me asnjë përgjigje nga avioni.