Një tjetër episod i dhimbshëm është regjistruar në Gazën qendrore të dielën, ku dhjetëra civilë u qëlluan ndërsa përpiqeshin të siguronin ushqim për familjet e tyre.
Dëshmitarët okularë kanë folur për skena tmerri në një pikë shpërndarjeje ndihmash, e cila menaxhohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e diskutueshme. Ata thonë se forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj civilëve që po merrnin ndihma bazike si miell dhe ujë.
Një palestinez nga Gazën perëndimore, i cili kishte arritur të merrte një qese me miell, përshkroi vendin si një “zonë vdekjeje”.
“Ushtarët u takuan ballë për ballë me ne,” tha ai për CNN.
“Njerëzit u qëlluan para nesh.”
Një tjetër dëshmitar tha se mezi arriti të largohej nga ajo që e quajti “vdekje”, me një qese miell në duar. Ai përmendi viktima, por nuk dha detaje të tjera.
Një grua palestineze rrëfeu se kishte rrezikuar jetën e saj për të siguruar ushqim për fëmijët.
“Ka vdekje atje, ka martirë,” tha ajo, ndërsa përshkroi sesi ishte e rrethuar nga tanke izraelite.
“Për çfarë? Për miell dhe ujë?” – shtoi ajo me lot në sy.
Pavarësisht rrezikut, ajo u shpreh e lehtësuar që kishte arritur të merrte diçka për fëmijët e saj.
Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit mohuan çdo përgjegjësi për viktimat. Në një deklaratë të dielën, ushtria izraelite tha se “nuk ishin në dijeni të ndonjë viktime”, duke theksuar se trupat kishin kryer vetëm të shtëna paralajmëruese pranë zonës së ndihmave.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në rrjetet sociale dhe tek organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që kërkojnë hetim të pavarur për incidentin.