Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza ka njoftuar se 20 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një kamion që transportonte ndihma humanitare është përmbysur pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, në qendër të Rripit të Gazës.
“Sipas informacioneve tona, rreth mesnatës, një kamion që mbante ndihma u përmbys ndërsa qindra civilë po prisnin për ndihma. Si pasojë, 20 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur,” ka thënë zëdhënësi i agjencisë Mahmud Bassal për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Hamasi e ka akuzuar Izraelin se po i detyron shoferët e kamionëve të ndjekin rrugë të pasigurta për të arritur në qendrat e shpërndarjes së ndihmave.
“Kjo çon shpesh në grumbullimin e turmave të dëshpëruara që rrethojnë kamionët,” është thënë nga zyra mediatike e Hamasit në një deklaratë.
Ndërkohë, shoferë lokalë kanë konfirmuar për mediat se turma të uritura njerëzish kanë hequr ndihmat nga kamionët në lëvizje, ndërsa disa mjete janë sulmuar nga persona të armatosur të lidhur me banda që më pas i shesin ndihmat në tregjet lokale me çmime shumë të larta.