Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin anglez, pasi një tifoz ka ndërruar jetë në tribunë gjatë një ndeshjeje, ndërsa thirrjet e tifozëve për ndihmë nuk arritën të ndryshonin fatin e tij.
Stadiumet në Angli u përballën me këtë incident të rëndë të shtunën, kur një tifoz pësoi një emergjencë shëndetësore gjatë kohës që po ndiqte ndeshjen nga tribunat.
Klubi Blackpool FC konfirmoi vdekjen e tifozit Graham Charman, i cili u përball me një problem serioz shëndetësor gjatë ndeshjes kundër Peterborough United në stadiumin Bloomfield Road. Loja u ndërpre në pjesën e dytë pasi tifozët në tribunën North Stand dhanë alarmin.
Sipas raportimeve të The Sun, ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë në anën veriore të tribunës West Stand për t’i dhënë ndihmën e parë tifozit, por fatkeqësisht ai ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme.
Në një deklaratë zyrtare, klubi Blackpool FC u shpreh: “Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të tifozit Graham Charman, i cili pësoi një emergjencë shëndetësore gjatë pjesës së dytë të ndeshjes së së shtunës në Bloomfield Road.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, Graham fatkeqësisht ndërroi jetë. Klubi ka kontaktuar familjen e tij dhe do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për të afërmit e tij në këtë kohë të vështirë. U prehsh në paqe, Graham.”
Pas ndeshjes, trajnerët e të dy skuadrave shprehën respektin dhe dhimbjen e tyre për të ndjerin. Trajneri i Blackpool, Ian Evatt, u shpreh:
“Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli. Mendimet dhe lutjet e mia janë me njeriun që erdhi për të ndjekur një ndeshje dhe përfundoi duke pësuar një atak në zemër. Ka gjëra më të mëdha se futbolli dhe është e rëndësishme t’i shohim gjërat në perspektivë.”
Ndërsa trajneri i Peterborough, Luke Williams, shtoi: “Diçka shumë shqetësuese ndodhi në tribunë. Mendimet tona janë me familjen; është thellësisht trishtuese.”
Në aspektin sportiv, Blackpool arriti një fitore 3-1 ndaj Peterborough, duke u distancuar me katër pikë nga zona e rënies në League Two. Dale Taylor realizoi dy gola, ndërsa Tom Bloxham shënoi golin e tretë. /GazetaExpress/