Trafik armësh nga Shqipëria në Angli, arrestohet organizatori - Gazeta Express
string(60) "trafik-armesh-nga-shqiperia-ne-angli-arrestohet-organizatori"

Shqiperi

Gazeta Express

23/09/2025 21:26

Trafik armësh nga Shqipëria në Angli, arrestohet organizatori

Shqiperi

Gazeta Express

23/09/2025 21:26

Policia ka goditur një rrjet të trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke vënë në pranga në total tre persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Pas ndalimit të J.S dhe S.M gjatë ditës së djeshme, dy të arrestuarit janë marrë në pyetje nga policia dhe kanë pranuar njohurinë për aktivitetin e paligjshëm. Sipas dëshmisë së tyre, organizator i trafikut është R.A, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me ta për realizimin e transportit të armëve drejt Anglisë.

Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se gjatë kontrollit të kryer nga policia, shtetasve J.S dhe S.M u janë sekuestruar telefonat celularë, ku janë zbuluar biseda me R.A, që flasin qartë për dërgimin e armëve të zjarrit, kryesisht pistoleta, në territorin britanik. Në komunikime janë gjetur gjithashtu fotografi armësh dhe diskutime rreth shitjes së tyre.

Hetimet paraprake tregojnë se kjo nuk është hera e parë që ky rrjet ka organizuar trafik të tillë. Dyshohet se të paktën tre ose katër herë më parë është përdorur i njëjti modus operandi, duke fshehur armët brenda monopatinave elektrike, që dërgoheshin me kompani transporti drejt Britanisë së Madhe.

Për të shmangur identifikimin, porositësve u jepej vetëm një numër telefoni për kontakt dhe u kërkohej të telefononin sapo të mbërrinin në destinacion. Marrësi i dërgesës paraqitej më pas, pa u identifikuar me emër.

Policia është në ndjekje të personave të tjerë të përfshirë dhe hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet britanike.

Arrestimin e organizatorit të trafikut të armëve drejt Britanisë së Madhe e ka njoftuar edhe Policia e Shtetit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 vunë në pranga shtetasit:R. A., 20 vjeç, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Metoda”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit J. S. dhe S. M. (të arrestuar ditën e djeshme), kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri, të cilën e kishin ndarë në pjesë të fshehur brenda një televizori, me qëllim dërgimin në Angli”, thuhet në njoftimin e policisë.