Një grup kriminal i përfshirë në trafik armësh dhe kultivim e shitje të kanabisit është goditur nga Policia e Fierit në kuadër të operacionit të koduar “Procedimi”. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe përfshiu disa qytete, mes tyre Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës.
Grupi ushtronte aktivitet të paligjshëm në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve të ndryshme, të cilat në disa raste siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në pikën kufitare Morinë. Njëkohësisht, anëtarët e tij merreshin me kultivimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në tetë banesa, dy ambiente të dyshuara si magazina armësh dhe tre automjete. Si rezultat, u sekuestruan 4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjellë në tokë dhe 2000 të kultivuar në kubikë), 5000 fara kanabisi, tre armë zjarri automatike, dy armë gjahu, një pistoletë, 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy radio dhe dy uniforma policie, një maskë me paruke, tre automjete dhe dhjetë celularë.
Në Durrës, një prej të dyshuarve tentoi të hidhte armën nga dritarja në momentin e ndërhyrjes së policisë. Të arrestuarit janë një 48-vjeçar nga Kallmi i Fierit, i dënuar më parë në Itali me 30 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje; një 53-vjeçar nga Durrësi me precedent penal për armëmbajtje pa leje; një 48-vjeçar nga Lushnja i dënuar më parë për trafik narkotikësh dhe armëmbajtje; dhe një 33-vjeçar nga Divjaka.
Gjithashtu, një 51-vjeçar nga fshati Peshtan, Fier, u procedua në gjendje të lirë, pasi më parë ishte arrestuar për kundërshtim ndaj forcave të rendit. Hetimet tregojnë se grupi funksiononte në mënyrë të organizuar, ku rolet ishin të ndara mes anëtarëve për sigurimin e armëve dhe gjetjen e klientëve. Organizatorët kryesorë rezultojnë të kenë qenë 48-vjeçari nga Fier dhe ai nga Lushnja, ndërsa drejtuesi i grupit koordinonte edhe kultivimin dhe shitjen e kanabisit.
aaaaa