Gjatë ditës së sotme, Prishtina ka njoftuar për emërimin e Afrim Tovërlanit si kryetrajner i skuadrës.
Ky vendim erdhi pas largimit me marrëveshje të dyanshme të Arsim Thaqit dje.
Tovërlani u rikthye te Prishtina, pasi më parë kishte qenë në krye të skuadrës në dy periudha.
Megjithatë, me pranimin e ofertës së Prishtinës, Tovërlani ka hequr dorë nga Kosova U21, ku ishte selektor deri më dje.
Kështu ka njoftuar vetë “Toki” në rrjetin social “Facebook”.
“Deri sot kam pasur nderin të jem trajner i Kombëtares U21 të Kosovës, ndërsa nga sot do të vazhdoj rrugëtimin tim si trajner i FC Prishtina.
Falenderoj Federatën e Futbollit të Kosovës, në krye me Agim Ademin, për mirëkuptimin dhe mbështetjen që t’i bashkohem FC Prishtinës dhe të largohem në mënyrën më korrekte nga U21.
Një falenderim i veçantë shkon për stafin teknik, stafin mjekësor, futbollistët dhe të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi. Ka qenë privilegj të punoj me njerëz të përkushtuar dhe profesionistë.
Vendimi im bazohet në dy arsye kryesore:
1.Kontrata ime me U21 skadonte në fund të dhjetorit.
2.Dëshira ime për të qenë më pranë profesionit tim të përditshëm.
Ekipin e lë në një gjendje shumë të mirë, me gjasa të mëdha për kualifikim në Evropianin 2027 dhe jam krenar për punën që kemi bërë së bashku. Të gjithë ata që kanë qenë pranë meje e dinë se gjithmonë kam punuar me nder, korrektësi dhe përkushtim.
Kurdo që Kombëtarja e Kosovës do ta ketë të nevojshëm kontributin tim, unë do të jem i gatshëm”, ka shkruar ai.
Në dy periudhat e tij si trajner me Prishtinën, Tovërlani ka shtatë trofe të fituar./GazetaExpress/