Tottenhami e emëron De Zerbin si trajner të përhershëm - Gazeta Express
string(54) "tottenhami-e-emeron-de-zerbin-si-trajner-te-perhershem"

Futboll

Gazeta Express

31/03/2026 18:24

Tottenhami e emëron De Zerbin si trajner të përhershëm

Futboll

Gazeta Express

31/03/2026 18:24

Tottenham Hotspuri ka konfirmuar emërimin e Roberto De Zerbi si trajnerin e tyre të ri me një kontratë “afatgjatë”, që besohet të zgjasë deri në vitin 2031.

Ish-trajneri i Brightonit u largua nga Olympique de Marseille vetëm disa orë para se të shpallej shkarkimi i Thomas Frank më 11 shkurt.

Ai konsiderohej zgjedhja e parë e Spurs përpara emërimit të papritur – dhe në fund të dështuar – të Igor Tudorit.

Tudor u largua të dielën pas vetëm 44 ditësh në detyrë, pasi arriti të marrë vetëm një pikë në pesë ndeshje të Premierligës.

Humbja 3-0 në shtëpi ndaj Nottingham Forestit në ndeshjen e tij të fundit e la Tottenhamin në vendin e 17-të, vetëm një pikë mbi zonën e rënies, me shtatë ndeshje të mbetura.

Ndeshja e parë e De Zerbit në krye të skuadrës do të jetë më 12 prill, kur Tottenham udhëton për t’u përballur me Sunderland.

“Jam shumë i lumtur që i bashkohem këtij klubi fantastik, një prej më të mëdhenjve dhe më prestigjiozëve në botë,” tha De Zerbi.

“Në të gjitha bisedat me drejtuesit e klubit, ambicia për të ardhmen ka qenë e qartë – të ndërtohet një ekip që mund të arrijë suksese të mëdha dhe ta bëjë këtë me një stil loje që emocionon dhe frymëzon tifozët. Jam këtu sepse besoj në këtë ambicie dhe kam nënshkruar një kontratë afatgjatë për të dhënë gjithçka për ta realizuar atë. Prioriteti ynë afatshkurtër është të ngjitemi në tabelën e Premierligës dhe kjo do të jetë fokusi i plotë deri në fund të sezonit”, shtoi ai.

Gjatë periudhës së tij të mëparshme në Angli, De Zerbi e çoi Brightonin në vendin e gjashtë në sezonin 2022/23 – pozicioni më i lartë në historinë e klubit – duke arritur gjithashtu gjysmëfinalen e FA Cup dhe më pas 1/16 e finales në Europaligë.

Më herët, trajneri italian pati periudha të suksesshme me Sassuolo në Serie A dhe me Shakhtar Donetsk në Ukrainë.

Drejtori sportiv i Tottenhamit, Johan Lange, shtoi:

“Roberto ishte objektivi ynë numër një për verën dhe jemi shumë të lumtur që e kemi sjellë që tani. Ai është një nga trajnerët më kreativë dhe progresivë në futbollin botëror dhe sjell me vete përvojë të madhe në nivelin më të lartë, përfshirë Premierligën.”

Pas një karriere si lojtar me afro 300 paraqitje, De Zerbi nisi trajnerllëkun në Itali, duke marrë drejtimin e Sassuolos në vitin 2018, ku fitoi vlerësime për stilin e tij sulmues dhe të bazuar në posedim.

Në vitin 2021 ai mori drejtimin e Shakhtar Donetsk, duke fituar Superkupën e Ukrainës dhe duke i kualifikuar në fazën e grupeve të Championsit.

Në shtator 2022 ai kaloi te Brightoni, ku arriti kualifikimin historik në Evropë, ndërsa në rolin e tij të fundit me Marseille, skuadra franceze përfundoi nënkampione në sezonin 2024/25, duke siguruar një vend në Champions./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement