Në Prizren është njoftuar për nisjen e punimeve për transformimin e shtegut të pasmë të këmbësorëve drejt Kalasë së Prizrenit, në një gjatësi prej 4 kilometrash. Projekti parasheh mbjelljen e druve, vendosjen e ndriçimit të ri publik si dhe vendosjen e shportave dhe ulëseve për vizitorët, duke krijuar kushte moderne për vendësit dhe turistët.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se ky investim është pjesë e vizionit për zhvillimin turistik dhe kulturor të qytetit.
“Shtegu i Kalasë është një ndër pikat më të frekuentuara nga qytetarët tanë dhe turistët. Me këto ndërhyrje po krijojmë infrastrukturë të denjë dhe të sigurt për të gjithë vizitorët” – u shpreh ai.
Totaj shtoi se projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e përvojës së vizitorëve dhe në promovimin e Prizrenit si qendër turistike.
“Synimi ynë është që Kalaja e Prizrenit dhe rrugët që çojnë drejt saj të jenë jo vetëm atraksione historike, por edhe hapësira moderne, të gjelbëruara dhe mikpritëse” – deklaroi Totaj.
Punimet pritet të përfundojnë në afatet e parashikuara, duke sjellë një transformim të dukshëm në këtë zonë të rëndësishme turistike të Prizrenit.