Në një intervistë për MIA-n, Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, konfirmoi se në të ardhmen do të ketë raste të reja që lidhen me krimin dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, por gjithashtu theksoi se prokuroria publike dhe gjykatat nuk veprojnë në mënyrë të barabartë për të gjithë kundër të cilëve është ngritur një kallëzim penal dhe se në disa nga rastet nuk ka asnjë hap përpara nga prokuroria, transmeton përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
“Absolutisht po. Ministria e Brendshme ka treguar gjatë viteve brenda Qeverisë së re se mund të ishte vepruar ndryshe, se mund të ishin ngritur kallëzime penale kundër një zyrtari të lartë nga çdo parti politike, pavarësisht nëse ai vjen nga njëra, tjetra apo një e treta, nuk do të doja ta specifikoja, se mund të ishin hapur procedura, se mund të ishte folur publikisht dhe se krimet mund të ishin konfirmuar me prova dhe fakte”, tha Toshkovski në intervistë.
Si shembull, ai veçon rastin “Aditiv”, i cili u procedua me aktakuzë nga prokuroria publike, por ministri i Brendshëm theksoi se PP dhe gjykatat nuk veprojnë në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve kundër të cilëve është ngritur kallëzim penal.
“Për fat të keq, pavarësisht faktit që kemi ngritur një numër të madh kallëzimesh penale, si kundër ish ministrave, drejtorëve të institucioneve, është ngritur edhe një kallëzim penal kundër një ishkryeministri, shohim se PP dhe gjykatat nuk veprojnë në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve kundër të cilëve është ngritur kallëzim penal. Koha do të tregojë nëse në këtë periudhë të ardhshme si PP ashtu edhe gjykatat do të inkurajohen të veprojnë në kuadër të autorizimeve të dhëna me ligj, në mënyrë që të mund të shohin drejtësi procedurale, të cilën është e nevojshme ta ofrojmë si institucion, por edhe drejtësi materiale që duhet të zbulojë të gjithë ata që kanë punuar në mënyrë të paligjshme në periudhën e kaluar dhe të mundësojë kthimin e atyre fondeve që janë shpenzuar në mënyrë të paligjshme nga disa, pavarësisht nëse kanë qenë ministra, drejtorë apo ndonjë lloj tjetër funksionarësh në periudhën e kaluar, tha Toshkovski.
Sipas tij, për disa nga rastet, siç është ai me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, në të cilin vdiqën 62 të rinj, prokuroria tregoi guxim dhe vendosmëri për të reaguar në kohën e duhur dhe për të zbatuar menjëherë veprimet e nevojshme procedurale. Megjithatë, ai thekson se për disa nga rastet për të cilat Ministria e Brendshme ngriti kallëzime penale me një sasi të madhe provash, nuk ka përparim.
Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).
Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.
tag_katrorimaqedoni_2