Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për Diasporën Jozefina Topalli ftoi sot shqiptarët jashtë vendit që nuk janë regjistruar dhe që nuk kanë votuar të vijnë në Shqipëri e të votojnë të dielën.
Në një konferencë për mediet, Topalli ngriti sërish shqetësimin sipas saj të procesit zgjedhor në Greqi.
“Sot ka ndodhur edhe ajo që ne nuk e imagjinonim, që të dorëzohen edhe zarfet me dorë në KQZ. Do të përsërisim edhe njëherë kërkesën për shqetësimin tonë serioze dhe të thellë, që po ndodh në procesin e zgjedhjeve në territorin e Greqisë. Të ndalohet menjëherë dorëzimi i zarfeve në dorë në KQZ”, tha Topallit.
Topalli gjithashtu kërkoi të “ndahen dhe të trajtohen në mënyrë krejt të veçantë, kutitë që vijnë nga Greqia nga kutitë që vijnë nga Italia”.
“Të bëhet auditimi i të gjitha rasteve të kutive të dërguara, për mënyrën se si është bërë procesi i votimit, për mënyrën e sjelljes këtu dhe një analizë e kutive të votimit, që kanë sjellë një anomali që është e pashpjegueshme, në mënyrën e ardhjes së votave këtu”, tha Topalli.
Topalli shtoi se në ardhjen e votave nga Greqia ka një anomali.
“Nëse për 3 javë rresht nga të gjitha vendet e tjera, kanë ardhur proporcionalisht, normale votat dhe për Greqinë, kishin ardhur vetëm 17 mijë vota, vetëm në 3 ditët e fundit janë shtuar 22 mijë vota. Pra është një anomali, por është një derivat i të gjitha thyerjeve që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe në Greqi. Nëse do të vazhdojmë të dorëzojmë zarfin në dorë, kjo nuk është votë, por kjo është anulim i zbatimit të kodit zgjedhor, dhe është krim elektoral”, tha Topalli.
Topalli sërish hodhi dyshime për manipulim të procesit zgjedhor në Greqi.
“Nëse kutitë vijnë të mbushura, ndërkohë që shqiptarët që jetojnë në Greqi, nuk kanë votuar se, zarfi nuk i ka ardhur në shtëpi, se zarfin nuk e kanë gjetur tek lokali i lojërave të fatit, apo sepse atë e ka marrë dikush tjetër dhe e ka plotësuar, sigurisht që kjo e ka emrin manipulim dhe jo zgjedhje. Ndaj KQZ duhet të bëjë trajtimin tërësisht të veçantë të kutive që vijnë nga Greqia dhe të ndalin dorëzimin e zarfeve dorazi”, tha Topalli.