"Tony Blair administrator", "Gaza do të qeveriset sipas modelit të Kosovës dhe Timorit Lindor", Shtëpia e Bardhë e mbështet planin - Gazeta Express
string(124) "tony-blair-administrator-gaza-do-te-qeveriset-sipas-modelit-te-kosoves-dhe-timorit-lindor-shtepia-e-bardhe-e-mbeshtet-planin"

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 23:51

“Tony Blair administrator”, “Gaza do të qeveriset sipas modelit të Kosovës dhe Timorit Lindor”, Shtëpia e Bardhë e mbështet planin

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 23:51

Shtëpia e Bardhë mbështet një plan sipas të cilit ish-kryeministri britanik Tony Blair do të drejtonte një administratë të përkohshme të Rripit të Gazës, fillimisht pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Autoritetit Palestinez (AP), sipas raportimeve në mediat izraelite.

Sipas propozimit, Blair do të drejtonte një organ të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar i Gazës (Gita), i cili do të kishte mandat të jetë “autoriteti suprem politik dhe ligjor” i Gazës për një periudhë deri në pesë vjet.

Sipas raportimeve të Haaretz dhe Times of Israel, plani është modeluar mbi administratat që dikur mbikëqyrën tranzicionet e Timorit Lindor dhe Kosovës drejt shtetësisë. Propozimi sugjeron që Gita të vendoset fillimisht në El-Arish, një kryeqendër provinciale egjiptiane pranë kufirit jugor të Gazës, dhe më pas të hyjë në territor e shoqëruar nga një forcë shumëkombëshe kryesisht arabe, e miratuar nga OKB-ja. Plani parashikon “bashkimin eventual të gjithë territoreve palestineze nën AP”.

Sipas këtij propozimi, palestinezët nuk do të detyrohen të largohen nga territori – një frikë që ishte ngritur në të kaluarën nga planet amerikane për ta zhvilluar zonën si një “Rivierë të Gazës”.

Nëse plani miratohet, Blair do të udhëhiqte një sekretariat me deri në 25 persona dhe do të kryesonte një bord me shtatë anëtarë për mbikëqyrjen e një organi ekzekutiv që do të administronte territorin.

Megjithatë, çdo rol për ish-liderin laburist pritet të shkaktojë polemika. Pas dorëheqjes si kryeministër në vitin 2007, Blair mori rolin e të dërguarit për Lindjen e Mesme deri në vitin 2015 dhe gëzon respekt në mesin e shumë liderëve të Gjirit. Por shumë palestinezë e shohin atë si pengues të përpjekjeve të tyre për shtetësi, ndërsa në rajon ai kritikohet rëndë për mbështetjen e tij ndaj pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, shkruan The Washington Post.

Disa diplomatë perëndimorë theksojnë se nuk është e sigurt që Blair do ta drejtojë këtë administratë kalimtare dhe se mandati i saj mund të jetë vetëm dyvjeçar. Ata shtuan se plani i Trump-it për “ditën pas” lidhet me një armëpushim dhe marrëveshje të plotë për pengjet.

Ky plan del vetëm pak ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një propozim tjetër, të njohur si Deklarata e Nju Jorkut, për krijimin e një administrate teknokrate që do të qeveriste Gazën për një vit, përpara se pushteti t’i kalohej një AP-je të reformuar, me kushtetutë të re dhe pas zgjedhjeve për president dhe parlament.

Mungesa e një afati të qartë për kalimin e kontrollit tek AP në planin e Shtëpisë së Bardhë shihet si pengesë për miratimin e tij nga palestinezët dhe liderët arabë. Por kjo paqartësi, si dhe prania e Blair-it, do të shiheshin si garanci për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Shtëpia e Bardhë e sheh planin e ri si kompromis mes propozimit fillestar të Donald Trump-it që SHBA dhe Izraeli të “marrin nën kontroll” Gazën dhe Deklaratës së Nju Jorkut, e mbështetur nga mbi 140 shtete. Më herët, sugjerimet e Trump-it për të “pastruar” Gazën nga palestinezët janë parë si formë e spastrimit etnik të një popullsie prej rreth 2 milionë banorësh. Në planin e ri, sipas raporteve, palestinezët nuk do të inkurajohen të largohen nga territori.

Një version i gjerë i planit të mbështetur nga SHBA u paraqit nga Trump në një takim në Nju Jork me emirin e Katarit, sheik Tamim bin Hamad al-Thani; ministrin e jashtëm saudit, princ Faisal bin Farhan Al Saud; mbretin Abdullah II të Jordanisë; presidentin e Indonezisë, Prabowo Subianto; dhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Trump tha se takimi ishte i suksesshëm dhe shtoi: “Jemi afër arritjes së një marrëveshjeje.”

Presidenti francez Emmanuel Macron po përpiqet të harmonizojë të dy propozimet.

Shtetet arabe kanë theksuar se do të kontribuojnë në një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare të mandatuar nga OKB vetëm nëse ekziston një afat i qartë politik drejt formimit të një shteti palestinez. Disa mund të argumentojnë se plani i Blair-it nuk garanton një rrugë të pakthyeshme drejt shtetësisë, por paraqet një formë tjetër, më të butë, të një okupimi krahasuar me atë të ofruar nga Izraeli.

Sipas planit, Gita do të ketë një bord me 7 deri 10 anëtarë, ku do të përfshihet “të paktën një përfaqësues palestinez i kualifikuar (potencialisht nga sektori i biznesit ose i sigurisë)”, një zyrtar i lartë i OKB-së, figura ndërkombëtare me përvojë ekzekutive ose financiare, dhe një “përfaqësim i fortë i anëtarëve myslimanë”.

Nën autoritetin e sekretariatit ekzekutiv, pesë komisionerë do të mbikëqyrnin fushat kryesore të qeverisjes në Gaza: çështjet humanitare, rindërtimin, legjislacionin dhe çështjet ligjore, sigurinë dhe koordinimin me AP-në.

Komisioneri për çështjet humanitare do të ketë detyrë të koordinojë me agjencitë humanitare, përfshirë Fondacionin Humanitar të Gazës, i cili është kontestuar nga shumë shtete arabe dhe organizata humanitare, të cilat kërkojnë shpërbërjen e tij.

Një Komisioner i Koordinimit me AP do të sigurojë që vendimet e Gita-s dhe të AP-së të jenë të harmonizuara dhe të orientuara drejt bashkimit eventual të gjithë territoreve palestineze nën AP.

Do të krijohet gjithashtu një Autoritet Ekzekutiv Palestinez (PEA), i cili do të ofrojë shërbime drejtpërdrejt për palestinezët përmes një administrate teknokrate jo-partiake dhe profesionale. PEA-ja do të udhëhiqet nga një CEO i emëruar nga bordi i Gita-s dhe do të mbikëqyrë ministritë teknokrate si shëndetësia, arsimi, financat, infrastruktura, drejtësia dhe mirëqenia sociale.

Në përpjekje për të larguar frikën se plani do të çojë në shpërngulje masive të palestinezëve gjatë rindërtimit, do të krijohet një Njësi për Ruajtjen e të Drejtave Pronësore, e cila do të sigurojë që çdo largim vullnetar të palestinezëve nga Gaza të mos komprometojë të drejtën e tyre për t’u kthyer ose për të ruajtur pronësinë.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të enjten, presidenti i AP-së, Mahmoud Abbas, tha se Hamas nuk do të ketë rol në qeverisjen pasluftës në Gaza – një kusht kyç i Izraelit dhe SHBA-së. Ai theksoi se Gaza është pjesë integrale e shtetit të Palestinës dhe se AP është e gatshme të marrë përgjegjësi të plotë për qeverisjen dhe sigurinë atje.

Abbas foli përmes videokonference pasi SHBA i refuzoi vizën për pjesëmarrje fizike në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.