Shkruan: Edison Ypi
Nëmërçka, Puka, Mirdita, Krraba, Myzeqeja, Mallakastra, janë disa nga Gratë e Mia. Njëra më e bukur se tjetra. Por asnjëra si Tomorrica që është më e magjishmja e të tërave. Nuk kam asnjë kundërshtim që hiret rrëqethëse të Tomorricës time, t’i eksplorojë çdo i interesuar.
Për me e këqyr si duhet thellësinë e Tomorricës, Zoti e ka gdhendur si një Teatër kolosal me skenë dhe sallë kilometrike, skena më e madhe se salla.
Skena gjigande në lindje, luginëza, përrenj që rrjedhin teposhtë, fshatra me shtëpi që duken si koshere.
Salla, apo plateja, faqja lindore e Tomorrit.
Lumi në mes.
Tomorrica perëndimore mund të përdoret si ballkon për të këqyrur Tomorricën lindore përballë, ku, secili spektator mund të ulet radha kaq, karrigia aq, përkatësisht; radha ndonjë gardh a përrua, karrigia një gur a një ledh për t’u ulur.
Po, por vetëm spektatorë, sado të përkushtuar, është pak. Tomorrica meriton më tepër. Tomorrica e ka për ofendim mos ta eksplorosh jashtë-e-brenda. Për t’u eksploruar sa më thellë e sa më bukur, Tomorrica nazelie del dhe cullak. Ta shfrytëzojë kush të dojë këtë fat. Nuk jam xheloz.
Që Tomorricës hiret t’i njihen botërisht:
Para Tomorricës frymëndalëse të thirren njerëz të shquar nga të gjitha fushat. Të afërt e të largët. Të rinj e të të vjetër. Të gjallë e të vdekur:
Naimi, Fishta, Lasgushi, atyre s’u lypset ftesë për asnjë vend në Shqipëri. Ata këtu kanë qenë dhe këtu do të jenë. Mjaft të kujdesen që në Tomorricë të mos vinë fort të llangosur me baltë varri.
Nëse Hudhri do të arrijë ta bindi Hyun të vijë në Tomorricë, Abas Aliu do e falënderojë, dhe me këtë rast do i nguli ndonjë kunj për llumin letrar tek Ex Libris.
Poetët e tjerë të vdekur, Homer, Dante, Shekspir, Pushkin, Lermontov, Gëte, Hajne, Bodler, do të nderohen me shëtitje peripatike me nga një kanaçe birre në dorë rrethuar secili me nga katër e nga pesë dishepuj. Jo nga këta legenat që vendosin tri pika shurre pas çdo fjalie. As nga ata që mbahen për poetë, sepse kanë qenë në burg. Vetëm dishepuj seriozë.
Ekspertët e rendit, ardhur nga vende me përvojat e duhura, do japin ndihmesën e tyre për turistët, që humbin rrugën nga mahnitja, ose çmenden nga ekzaltimi nëpër pyje dhe gërxhe të thella. Ekspertët në fjalë do të shohin më nga afër edhe çështjen e heremitëve të shpellave dhe atyre që para se të vetshpallen shenjtorë, bëjnë sikur heqin dorë vullnetarisht nga e ngrëna dhe e pira.
Orkestrat më të mëdha të botës, James Last, Frank Pourcel, Ray Conniff, e të tjera do luajnë muzikat më të bukura prej të cilave do të shquhen “Orange Blossom”, “Flight of the Bumblebee”, “Pusi që lahet vet”, dhe ca të tjera.
Këngëtarët më në zë, kryesisht të vdekur, gjithashtu, nuk do rrinë pa ardhur në Tomorricë.
Do të ngrihet nga varri Vaçe Zela. Do këndojë atë që i mbeti peng sa qe’ gjallë, kryeveprën muzikore siciliane dhe arbëreshe “Cu Ti Lu Dissi” me një bosht rrëfimi tepër të thjeshtë, një thashetheme konspirativ katundi: Kush të tha ty, që unë s’të dua më?
Orkestrat, këngëtarët, kompozitorët, megjithëse do e shkrijnë talentin e tyre duke zbrazur secili kremën e krijimtarisë vë vet, s’do mend se nuk do mund të konkurrojnë këngën e zogjve, shushurimën e gjetheve, pëshpërimën e përrenjve, lehjen e qenve, simfoninë e zilkave, koncertet e këmborëve. Kaq gjë e din ata.
Kur një nga të ftuarit e Nderit, Paganini, të luajë “Caprice no 5” do të ndalin frymën të gjitha gjallesat aty rrotull dhe më tej. Do heshti gjithçka. Kujt do i vijë kolla, teshtima, pordha, do e mbajë. Atyre që po hanin, lugët do u mbeten pezull në gjysmë lartësie nga vijon nga faqja 1 pilafi te goja. Përrenjtë do ndalin rrjedhën. Uji i ujëvarave do mbetet varur mbi shkëmbinj si çarçaf i nderë në tel që e valavit era.
Kur t’i luten Giacomo Lauri-Volpit të ngrihet nga varri për të kënduar në Tomorricë “Peshkatarët e Perlave”, do lëvizi në varr me përtesë. Ama kur të vijë e ta shohë me sytë e vet perrinë Tomorricë, do bindet menjëherë që ngritja nga varri ja vlejti. Zëri në kupë të qiellit. Era do ndali së fryri. Retë do davariten. Qielli do shfaqet. Baballarët e teqeve do ngrihen nga froni do përkulen në shenjë nderimi.
Historianët e ardhur në Tomorricë do bëjnë hulumtime shteruese për të qartësuar disa gjëra. Nëpër cilat shtigje erdhi greku? Sa foshnja hodhi në lumë? Sa grave u nguli bajonetën në bark? Sa burrave u preu kokën me thikë? Çfarë ndodhi në majë të Ostrovicës? Ku u bë lufta me frëngun? Si luftoi austriaku? Pse u sëmur rusi? Pse u tërhoq serbi? Sa u paguan spiunët? Ku ndodhen “Gardhi i Beqarit”, “Ledhi i Labit”, “Pusi i Pashait”, “Çuka e Çupës”, “Loti i Nuses” ?
Do jetë në nderin e ekonomistëve ardhur enkas në Tomorricë të përcaktojnë cila ishte prodhimtaria e staneve dhe baxhave? Si e shtypnin rrushin? Ku e zienin rakinë? Ku i shisnin bulmetrat? A i vilnin kumbullat?
Regjisorët më të famshëm që do kenë fatin dhe kënaqësinë të eksplorojnë perrinë Tomorricë, do jenë dy: Peter Weis dhe Giuseppe Tornatore. Të tjerëve s’ka pse u mbetet qejfi.
“National Geographic” do dërgojë ekspertët më të merituar për ta pavdekësuar Tomorricën në foto dhe video të cilësisë së lartë.
Sociologët nga mbarë bota do qartësojnë një herë e mirë: Sipas cilave kritere i kanë marrë e i kanë dhënë çupat tomorricarët? Si lidheshin ilakatë? Kush bëhej sebep? Si e kalonin kohën beqarët dhe beqareshat? Ç’bëhej me të shquarit e katundit, me budallain e katundit, hajdutin e katundit, spiunin e katundit? A po u prin shëndeti?
Psikologët do sqarojnë deri më një, në cilat vende shfaqen shenjtorët nëpër ëndrra? Ku janë livadhet ku natën lodrojnë xhindet, varret nga dalin vampirët, kthesat ku zënë pusi’ komitët dhe gjakësit, që vrasin hasmin, makar shtigjet ku vidheshin karvanët, qafat e maleve nga kalonin dasmorët, lëndinat ku thereshin krushqit, korijet ku çlodhen udhëtarët? Sa të përhapura ishin divorcet dhe incestet? Ku janë puset e shenjta pranë të cilëve s’të kafshon gjarpri, s’të prek hasmi, ja marrin një sy gjumë udhëtarët e lodhur?
Mjekët e thirrur enkas do shqyrtojnë me imtësi metodat dhe mjetet e kurimit të sëmundjeve që përdor mjekësia popullore e këtyre anëve, shkakun e sëmundjeve, rrezikun e epidemive etj.
Zonjën Tomorricën askush nga mysafirët e lartë nuk do e preki me dorë, nuk do e shkeli me këmbë, nuk do ja përdhosi me prezencë luginëzat e saja, përrenjtë, shtëpitë, oborret, puset, kopështiet, ngastrat e mbjella, bimësinë, ujët që rrjedh përposhtë, dritën, hijet, ngjyrat, ylberet, agoninë e përgjakur të diellit në perëndim.
Kush do i bishtnojë rregullave, do theret, do ripet, do piqet në hell lart në Teqe’, te furrat e kurbanëve.
Që Bota të mos mbetet në duart e budallenjve, aventurierëve, edepsëzëve, por të forcohet dhe zbukurohet nga njerëz të ndjeshëm dhe të ndershëm që Botën e njohin dhe e duan, Tomorrica ime duhet pavdekësuar sa më shpejt. Sidomos tashmë që fundi i botës është bërë si bujqësia në vaktit “çështje e ditës”, apo si revolucioni proletar që pritet të shpërthejë nga çasti në çast, tashmë kur gishti i budallait i është afruar butonit dhe pritet ta shtypi nga çasti në çast, dhe Tomorrica ime të iki për dhjam qeni.