Tolerancë dhe dialog në emër të jetës! - Gazeta Express
string(37) "tolerance-dhe-dialog-ne-emer-te-jetes"

Ermal Mulosmani

24/03/2020 11:48

Tolerancë dhe dialog në emër të jetës!

Ermal Mulosmani

24/03/2020 11:48

Në skenën politike të Kosovës, dukuria tipike qysh nga liria e saj ka qenë mostoleranca.  Ardhja e lirisë i gjeti kosovarët në llogore të kundërta me njëri tjetrin. Në njërën anë ishte pakica luftëtare, që, si në kohërat pushtuese greko-romake kërkonte plaçkën e luftës por edhe mirënjohjen dhe duartrokitjen e shumicës së nënshtruar, pacifiste.

Kapardisja dhe përçmimi e në raste të veçanta edhe dhunimi ndaj shumicës së sivëllezërve të  vet të vuajtur ishin cilësitë më të spikatura të “fitimtarëve”.

Lexo Edhe:

 Lavdia e fitores dhe dafinat e fillimit do të duhej të ballafaqoheshin shpejt me zemrat e qytetarëve. E këtu do të vinte zhgënjimi i parë i madh. Populli i heshtur, i vuajtur dhe i përçmuar për mos heroizmin e tij (krejt njerëzor) i ndëshkoi luftëtarët e lirisë me votë.

Tmerret e mëdha të genocidit serb i vuajti më shumë popullata sesa luftëtarët. Përdhunimet, vrasjet e të pafajshmëve u bënë në hundën e luftëtarëve. Golgota e dëbimit masiv shoqëruar me masakra e dhunë u vuajt nga shumica jo luftëtare kur këta të fundit sodisnin me dylbi nga pozicionet luftarake. Të pafuqishëm t’i mbronin.

Një pjesë e mllefit të madh të luftëtarëve vinte pikërisht nga kjo dëshmi e  pafuqisë së tyre. Kalvari i vuajtjeve të shumicës ishte edhe  prova e gjallë e mungesës së heroizmit nga luftëtarët. Në një luftë që ka pasë 20 mijë përdhunime nuk mund të flitej për heronj të gjallë. Të tillët tashmë thjesht kishin vdekur.

Ishte koha për një paqtim të madh shpirtëror. Luftëtarët duhet të përqafonin popullin, të bëheshin një. Në fund të një lufte çfarë ishte ajo e Kosovës kishte vetëm të mbijetuar. Dikush i mbijetoi sulmeve me tanke e të tjerë genocidit shfarosës. Ndoshta prej këtu duhej të fillonte themeli i së ardhmes. Nëse luftëtari përqafon dezertorin frikacak, në emër të një të ardhme të përbashkët, atëherë kemi një bazë të mirë për të ardhmen.

Dhe këtu rolin kryesor e kishte çlirimtari (kur them çlirimtari nuk kam parasysh çlirimtarin e vërtetë, atë ndërkombëtar, por atë të supozuar, UÇK).

Por fitmtarit i mungoi edhe mençuria edhe forca për ta bërë këtë. Në mungesë të kësaj paqeje shpirtërore, qysh atë kohë u krijuan dy tabore, njëri i paqes (qytetarët, viktimat, pacifistët dhe dezertorët) dhe tjetri i luftës (luftëtarët dhe mbështetësit e tyre). Të dyja palët kishin nga një profet; në njërën anë ishte Thaçi  në anën tjetër Rugova.

Tani, sërish jemi përpara një momenti të tillë thelbësor. Sfida është nga ato që jetohet njëherë në 100 vjet. Bëhet fjalë për jetët tona.

Mbrëmë Kryeministri me mandat të diskutueshëm (ndaj tij janë gati të votojnë kundër në seancën më të afërt mbi 61 deputetë) shpalli kufizimin e daljes së popullsisë dhe, menjëherë pas tij, Presidenti e shpall antikushtetues vendimin e Kryeminstrit.

Paralel me këtë zhvillim, në Kosovë dalin pozitivë me virus edhe hiç më pak se 26 raste të reja!

Çfarë të bëjnë qytetarët? Të dalin apo të mos dalin nga shtëpitë? Të vdesin për inat të njërit apo të rrojnë për inat të tjetrit?

“Mos i trazoni zemrat dhe ato do të rrahin për ju”- thotë Volteri.

A e di klasa politike se të gjithë po shahen qysh mbrëmë? Që përkrahësit e Albinit po shajnë gjithë të tjerët (si mund të jenë ndryshe veç kështu ata) dhe që gjithë të tjerët po shajnë Albinin? A është kjo që po kalojmë lojë apo vdekje, është realitet apo absurd?

A ka ndonjë ndër politikanët e Kosovës që mund të bëjë atë që nuk u bë në fillim të lirisë, pra një paqtim mes të kundërtish? A mundet Albin Kurti, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramushi etj, të bien dakort që mbi ata dhe mbi gjithçka, në kushte pandemie është jeta? Dhe në emër të jetës së popullit të tyre ata duhet të bëhen njësh këto kohë. Ndoshta i takon Isa Mustafës, si më i vjetri ndër ta, të sakrifikojë,  të caktojë një Ministër tjetër deri sa të mbarojë ky makth që e bën edhe Presidentin e Amerikës të dridhet! E kur të vijë ajo ditë ai do mbahet mend si shpëtimtari.

I fortë është ai që pranon një faj që ndoshta nuk e ka. Boll që ai pranim faji t’i shërbejë paqes, dialogut, të ardhmes. “Luftë për të marrë fajin” – ky është thelbi i tolerancës thotë diku Tolstoi. E imagjinoni një botë ku Isa, Hashimi, Albini dhe Ramushi zihen për të marrë fajin?

Hiqni dorë nga sjelljet normale fajhedhëse! Në situate si kjo, i fortë është ai që kërkon ndjesë, ai që përulet, ai që kërkon dhe gjen kompromisin. Nuk mund të prishet Qeveria (sido që veprimi mund të përligjet). Njerëzit duhet të rrijnë në shtëpi me çdo kusht. Në Spanjë sot pacientët e sëmurë rrinin të shtrirë në pllakat e spitalit, në Itali stafi mjekësor zgjedh mes pacientëve se kë të shpëtojë. Mos mendoni se Kosova apo Shqipëria ka imunite ndaj këtij virusi?

Kam frikë se po të përmend të vërtetat do më akuzojnë për panik ndaj nuk po e çoj më tej.

Mundet që paqen ta bëjë Thaçi, Ramushi dhe Fatmiri duke refuzuar mocionin si në kohë të papërshtatshme. Mundet që të thirret një takim i Këshillit të Sigurisë dhe të diskutojë masat e jashtëzakonshme. Por kurrsesi nuk duhet që në këtë situatë, një vend i vogël e i varfër si Kosova të ketë konflikt institucional të vazhdueshëm.

Ai që sakrifion në këto momente nga e drejta e tij është heroi.