E ka vazhduar rrëfimin tronditës e mbijetuara e dhunës seksuale me detaje tmerruese.
Ajo ka treguar se në vendin e njëjtë u dhunuan edhe fëmijë.
“Më i tmerrshmi është, mund të them dhe jam e bindur përmbi 40 vajza i kanë dhunuar të moshës 5-6 vjeç e deri në 10 vjeç”, tregon ajo me tronditje.
Rrëfimi vazhdon me të tjera detaje.
Panduri: Plagë në shpirt ke me mijëra…
E mbijetuara: Deri të vdes. Më thanë a e ki vështirë me ardh këtu, thashë nuk e kam vështirë, ma vështirë se atje, me shqiptarë se kam me fol. Ishallah rinia e gëzojnë… S’kam pas qejf as me jetu pas luftës, thojsha e dijnë krejt, por s’kom pasë çka, hatri i fëmijëve është dashtë me e mbajtë veten e me jetu.
Panduri: Sot e asaj dite, e dijnë e gjithë familja juaj?
E mbijetuara: Po, vajza e din, djali e din, e dijnë familja, krejt, ma vështirë s’ka, s’të hiqet brenga kurrë ndoshta të gjithë jetën tënde me pasë para duarve, ai moment kur të vjen është shumë i vështirë.
E mbijetuara e dhunës seksuale, që tregoi në fillim të rrëfimit në “Debat Plus” që i ka të dhunuar edhe burrin e dy fëmijët tregon se të gjithë kanë mbetur me pasoja jo vetëm fizike por më shumë psikike.
“Ka qenë e vështirë kur e kemi marrë vesh për këtë shoqatë që ka dalë për gratë e dhunuara, pastaj kam dialoguar me fëmijët ngadalë, mam kështu qenka një shoqatë që po të mbrojka, qenka mirë me folë, jo-jo e pastaj vajza u martua, i ka dy djem, me fëmijë jam si shoqe se s’kam pasë qejf as ata me i lënë mos me e ditë e as vetë mos me ta ditë fëmijët, nëse e kanë parë më mirë është me u shpreh me fëmijë me ia ditë njëri-tjetrit hallet, vajzën e kam regjistrua është në proces të pritjes për status e djalin s’kam mujtë me shti, nuk më ka ardhë, po më vjen keq kam shoqëri mundet me e ditë dikush, i thash s’është asgjë, por s’ka dashtë“, rrëfen ajo.
Ajo falënderon “Medica Gjakova”, organizatë që thotë se ia shpëtoi jetën e ndërkaq rrëfen se pastaj ka bindur edhe 20-30 të mbijetuar tjerë që t’i bashkohen. /Dukagjini