Tmerri i quajtur luftë - Gazeta Express
string(22) "tmerri-i-quajtur-lufte"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

01/03/2022 15:51

Tmerri i quajtur luftë

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

01/03/2022 15:51

Cilado që të jenë arsyet që niset një luftë, lufta ka fytyrën e tmerrit, shkatërrimit dhe shpërfaqë mizorinë e njeriut ndaj njeriut në formën më të tmerrshme

Shkruan: Arbër I. Halilaj

Lexo Edhe:

Lufta ka qenë gjithmonë një pjesë integrale e shoqërisë njerëzore. Në të gjithë botën ka pasur luftëra që nga kohërat e lashta gjatë gjithë historisë, madje edhe kur është e qartë se luftërat shkaktojnë shkatërrime të jetës dhe pronës së njerëzve, ende justifikohen dhe shihen si zgjidhje e fundit për shumë probleme. Shpeshherë, lufta çuditërisht ka shërbyer si një forcë kryesore lëvizëse,6 që ka kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të komuniteteve dhe shfaqjen e mundësive të reja. Për më tepër, është konsideruar edhe si një nga mjetet e seleksionimit natyror që ka nxitur mbijetesën e grupeve më të forta dhe zhdukjen e atyre më të dobëta.

Shkaqet e luftërave kanë qenë të ndryshme përgjatë historisë. Në përpjekje për të marrë një avantazh të caktuar konkurrues, shtetet kanë luftuar për territor, burime, njerëz dhe dominim të natyrave të ndryshme. Megjithatë, në rrjedhën e evolucionit të shoqërisë dhe zhvillimit të diplomacisë, shkaqet e luftës tanimë janë më komplekse. Rasti i konfliktit të tanishëm Rusi-Ukrainë provon se nuk janë të rralla rastet kur një shtet sulmon shtetin sovran fqinj duke u thirrur në mbrojtjen e pakicave të veta atje, që luajnë rolin separatist dhe të viktimës në këto raste, duke i dhënë shkas të mjaftueshëm shtetit amë për invazion të armatosur, e që në fakt shpesh është një pasqyrë e rrejshme e situatës në terren. Në rastin e tanishëm të Ukrainës është edhe përsëritje e historisë: më 17 shtator 1939, Ministria Sovjetike e Punëve të Jashtme pati dërguar një notë që t’i jepej urdhër trupave sovjetike për të mbrojtur popullsinë ukrainase e bjelloruse që jetonin në Poloni. Në këtë mënyrë, kompleksiteti i ngjarjeve të sotme të luftës në Ukrainë krijon rrezik për zgjerim të luftës së armatosur ndërmjet më shumë vendeve evropiane.

Shumë kultura moderne zakonisht janë të prirura t’i konsiderojnë luftërat si veprim dinjitoz, edhe pse ato rezultojnë me shumë vdekje ose vuajtje të qenieve njerëzore. Kjo vjen pjesërisht nga fakti se lufta konsiderohet si një shenjë respekti dhe pjesërisht sepse pjesëmarrja në luftëra në shumë kultura është shenjë krenarie dhe guximi, në përpjekje për t’i shërbyer vendit duke e mbrojtur atë !

Lufta tërheq vëmendjen e njerëzve që janë të prekur drejtpërdrejt nga ajo, ndërsa ka burime e mënyra të shumta që përpiqen të përshkruajnë veçoritë më të rëndësishme të kësaj ngjarje të dhunshme politiko-shoqërore dhe të kuptojnë natyrën e saj të shëmtuar.

Lufta padyshim se shkatërron individët, duke ndryshuar mentalitetin, psikikën dhe të ardhmën e tyre. Lufta i privon njerëzit nga identiteti i tyre dhe krijon bazën për probleme të shumta në periudhën e pasluftës. Ajo nuk është zgjidhje adekuate e problemeve, përkundrazi ka ndikim tejet të dëmshëm në jetën e njerëzve, duke i privuar nga e ardhmja ata që janë përfshirë në luftë. Në anën tjetër, një shtet e sheh të nevojshme të shkojë në luftë për të realizuar synimet dhe

objektivat e tij politike, të cilat mendohet se mund të arrihen vetëm përmes luftës, duke bërë një analizë të raportit kosto-përfitim, ku çdo përfitim politik peshohet kundrejt kostove që merren si të pranueshme. Nëse përfitimet politike e tejkalojnë koston e luftës, lufta vazhdon dhe rrjedhimisht lufta pushon nëse përfitimet janë më të vogla sesa kostoja, pra si një lloj biznesi në politikë.

Nëse bëjmë paralele krahasuese të shtetit me një njeri, i cili mund të ketë armiq dhe miq duke nisur që në lagjen e vet, edhe shteti e edhe njeriu mund të qëndrojnë në paqe ose në agresion me fqinjët. Por, përfshirja në konflikte apo luftë është rrjedhë e natyrshme e ngjarjeve dhe shumë pak mund të bëhet për të ndaluar një luftë, nëse lind nevoja për të.

Për më tepër, lufta shkatërron familjet dhe asgjëson vlerat më të çmueshme njerëzore. Njerëzit që kanë përjetuar luftën shumë shpesh nuk janë në gjendje të rivendosin ekuilibrin e tyre të brendshëm dhe të ribashkohen me familjen për shkak të dallimeve në qëndrimet ndaj luftës dhe çasjes së shoqërisë ndaj tyre, kështu që shpesh rezulton me kolapsin e sistemit tradicional të vlerave. Në përgjithësi, vet natyra e luftës dhe karakteri i saj kanë një ndikim shkatërrues në jetën e njerëzve.

Shkaqet për fillimin e luftërave janë të ndryshme, shpeshëherë banale apo të çmendura, duke përshkallëzuar dhunën dhe duke pasur çdokund rezultat të njejtë: më së shumti pësojnë civilët, shkatërrime masive të pasurisë dhe shtëpive familjare, refugjatë që janë të detyruar të bredhin pa ndonjë cak, të kërkojnë strehim të ri dhe të përpiqen të gjejnë identitetin e tyre e të rinisin jetën e tyre të shkatërruar. Sa është kjo e vështirë, e kemi përjetuar gjatë decenieve të historisë sonë, por sidomos në periudhën 1998-99 gjatë luftës sonë çlirimtare, por për fat të keq edhe sot në vitin 2022 po shohim skena të njejta midis Evropës, në Ukrainën e invaduar nga rusët agresorë.

Pavarësisht se lufta mund të shkaktojë dëme dhe tortura të mëdha në jetën e njerëzve të përfshirë në të, në varësi të situatës ajo është edhe e justifikueshme. Për shembull, nëse shteti përfshihet në luftë si një mënyrë vetëmbrojtjeje nga shfarosja apo deportimi, atëherë ajo është e justifikueshme, siç ishte lufta çlirimtare e UÇK-së 1998-1999, që u përkrah nga shumica e botës demokratike.

Megjithatë, çfarëdo që të jenë arsyet që niset një luftë, lufta ka fytyrën e tmerrit, shkatërrimit dhe shpërfaqë mizorinë e njeriut ndaj njeriut në formën më të tmerrshme, prandaj STOP LUFTËS!