Tjetër shkelje e Kushtetutës/Gjykata rrëzon vendimin e Qeverisë: Përjashtonte kujdesin mendor nga shërbimet spitalore - Gazeta Express
string(116) "tjeter-shkelje-e-kushtetutes-gjykata-rrezon-vendimin-e-qeverise-perjashtonte-kujdesin-mendor-nga-sherbimet-spitalore"

Lajme

Gazeta Express

13/08/2025 16:57

Tjetër shkelje e Kushtetutës/Gjykata rrëzon vendimin e Qeverisë: Përjashtonte kujdesin mendor nga shërbimet spitalore

Lajme

Gazeta Express

13/08/2025 16:57

Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një aktgjykimit të publikuar sot, ka vendosur që paragrafi 1 i nenit 11 të Statutit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), të cilin e kishte miratuar Qeveria Kurti në dhjetor 2023, është në kundërshtim me Kushtetutën. Neni në fjalë, bën të ditur Kushtetuesja, nuk e përfshinte kujdesin mendor si pjesë të shërbimeve të spitaleve të përgjithshme.

Është Avokati i Popullit ai që e ka ngritur rastin në fjalë duke iu drejtuar Kushtetueses, pasi që avokati ka argumentuar se akti i miratuar nga Qeveria kufizon të drejtat kushtetuese të përcaktuara në nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës. .

Gjykata po ashtu, në aktgjykimin e saj e ka urdhëruar Qeverinë që të ndryshojë Statutin dhe që ta harmonizojë të njëjtin me Kushtetutën.

Komunikata:

Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO141/24

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO141/24, të parashtruar nga Avokati i Popullit, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në nënparagrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, të miratuar përmes Vendimit [Nr. 29/180] të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 27 dhjetorit 2023, i cili statut ka hyrë në fuqi më 8 janar 2024.

Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) të konstatojë se paragrafi 1 i nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, i miratuar përmes Vendimit [Nr. 29/180] të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 27 dhjetorit 2023, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 4 të nenit 92 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të urdhërojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, që në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, i miratuar përmes Vendimit [Nr. 29/180] të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 27 dhjetorit 2023, në pajtim me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe këtë Aktgjykim; (iv) të konstatojë se deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, i miratuar përmes Vendimit [Nr. 29/180] të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 27 dhjetorit 2023, spitalet e përgjithshme të ofrojnë shërbimet shëndetësore siç janë të përcaktuara në nënparagrafin 1.1 të paragrafit 1 të nenit 12 (Shërbimi i kujdesit shëndetësor dytësor) të Ligjit Nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor; si dhe (v) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme. 

Avokati i Popullit kontestoi kushtetutshmërinë e paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i cili përcakton që spitalet e përgjithshme ofrojnë shërbimet shëndetësore si në vijim: (i) kirurgji e përgjithshme; (ii) interno; (iii) pediatri; (iv) gjinekologji dhe obstetrikë; dhe (v) emergjenca mjekësore. Avokati i Popullit pretendoi se kjo dispozitë e Aktit të kontestuar, pasi që nuk përcakton “kujdesin mendor” si shërbim dytësor shëndetësor që ofrohet nga spitalet e përgjithshme, “redukton” (i) shërbimet shëndetësore për kujdes mendor për qytetarët; dhe (ii) stafin shëndetësor dhe administrativ në këto spitale, në kundërshtim me frymën e Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjet Nr. 08/L-043 dhe Nr. 08/L-176 dhe Ligjin Nr. 05/L-025 për Shëndet Mendor; dhe se rrjedhimisht (iii) si akt i miratuar nga Qeveria kufizon të drejtat kushtetuese të përcaktuara në nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, respektivisht. Pretendimet e Avokatit të Popullit u mbështetën nga: (i) deputeti i Kuvendit, z. Armend Zemaj; (ii) Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës; dhe (iii) Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, ndërsa u kundërargumentuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës.

Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në nënparagrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Avokati i Popullit është i autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve, të dekreteve të Presidentit e të Kryeministrit dhe të rregulloreve të Qeverisë. Gjykata, në vlerësimin e pretendimeve të Avokatit të Popullit, iu referua parimeve të përgjithshme kushtetuese dhe atyre të Komisionit të Venecias për parimin e sundimit të ligjit dhe kufizimit të të drejtave dhe përcaktimit të detyrimeve me “ligj”, të përcaktuara ndër të tjera në nenin 3 [Barazia para ligjit], nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 1 të nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] dhe nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës. Në kontekst të kompetencave të Qeverisë, si organ që ushtron pushtetin ekzekutiv, Aktgjykimi sqaron se kompetenca e saj për “nxjerrjen e akteve juridike ose rregulloreve” kufizohet në përcaktimet kushtetuese si në vijim: a) “pajtueshmërinë me Kushtetutën dhe ligjet”, të përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 92 të Kushtetutës; dhe b) “të nevojshme për zbatimin e ligjeve”, të përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 93 të Kushtetutës.

Në dritën e parimeve të lartcekura, Aktgjykimi konstaton se Akti i kontestuar është nxjerrë për “zbatimin e ndonjë ligji”, siç kërkohet në paragrafin 4 të nenit 93 të Kushtetutës, pasi që bazohet në nenin 23 (Shërbimet profesionale shëndetësore), si dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 63 (Themelimi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës) të Ligjit të lartcekur për Shëndetësi. Në kontekst të vlerësimit nëse Akti i kontestuar është nxjerrë në “pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet”, Gjykata sqaron se nënparagrafi 1.1 i paragrafit 1 të nenit 12 të Ligjit Nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor, përcakton shprehimisht që shërbimet e kujdesit mendor ofrohen në nivel të kujdesit dytësor shëndetësor përmes Departamenteve të Psikiatrisë në spitalet e përgjithshme, ndërsa paragrafi 1 i nenit 11 të Aktit të kontestuar ka përcaktuar llojet e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në spitalet e përgjithshme sipas një liste shteruese, e ku bëjnë pjesë vetëm: (i) Kirurgjia e përgjithshme; (ii) Interno; (ii) Pediatria; (iii) Gjinekologjia dhe Obstetrika; (iv) Emergjenca mjekësore. Duke qenë se Akti i kontestuar nuk ka përfshirë shërbimet e kujdesit mendor në këtë listë të ofrimit të shërbimeve, ashtu siç përcaktohet me “ligj”, Gjykata vlerësoi se e drejta e qytetarëve për kujdes shëndetësor, e garantuar me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës, e cila dispozitë garanton se kjo e drejtë rregullohet me ligj, është kufizuar përmes paragrafit 1 të nenit 11 të Aktit të kontestuar.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se paragrafi 1 i nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Aktit të kontestuar është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 4 të nenit 92 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.