Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka bërë një premtim të rëndësishëm për të rinjtë e komunës: çdo maturant i sapodiplomuar që regjistrohet në një universitet publik apo privat do të përfitojë bursë në vlerë prej 650 eurosh.
Në një deklaratë publike, Ferati tha se “çdo maturant meriton mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e vet”.
“Rrugëtimi ynë vazhdon! Mbështetja për të rinjtë nuk do të mungojë. Secili prej tyre që zgjedh të vazhdojë rrugën e dijes, do të ketë përkrahjen tonë të plotë,” ka shtuar ai.
Kjo bursë, sipas Feratit, do të vlejë njësoj si për studentët që zgjedhin institucionet publike, ashtu edhe për ata që ndjekin studimet në universitete private.