Titujt e Shtëpisë Botuese “Pika pa sipërfaqe” - Gazeta Express
string(43) "titujt-e-shtepise-botuese-pika-pa-siperfaqe"

Arte

Gazeta Express

27/05/2022 12:57

Titujt e Shtëpisë Botuese “Pika pa sipërfaqe”

Arte

Gazeta Express

27/05/2022 12:57

Shtëpia Botuese “Pika pa Sipërfaqe” ka botuar një varg titujsh, nga autorë të ndryshëm.

Në mesin e autorëve të përkthyer janë: Ernesto Sabato, Sigmund Freud, Slavoj Zizek etj.

Lexo Edhe:

Titujt:

“Abadoni: Engjëlli i skëterrës” Ernesto Sabato

Në jetën e tij gati njëqindvjeçare, Sabato botoi vetëm tre romane: “Tuneli” (1948), “Mbi heronjtë dhe varret” (1961) dhe “Abadoni, engjëlli i skëterës” (1974), i cili përmbyll trilogjinë.

Një histori e errët dhe e fuqishme, e cila zhvillohet në një Buenos Aires klaustrofobik, që parathotë shumëçka për ngjarjet e trazuara politike që do përjetonte pak vite më vonë ky qytet. Jemi në qytetin e skuadroneve të vdekjes, të torturave; po ashtu, jemi në qytetin e inteligjencies radikale, të majtëve radikalë, mes fretërve borgjezë dhe të rinjve të sinqertë e të dhënë pas politikës e filozofisë, mes të cilëve ndodhet autori i këtyre faqeve, i cili jeton me ata, duke vuajtur e duke u zhgënjyer me personazhet e romanit, si të ishin prej mishi e prej gjaku. Ai thur një roman që ushqehet me të gjitha format që mund të marrë fjala: dialogë, faqe ditari, artikuj gazetash, përshkrime ëndrrash, rrëfime të kulluara etj, duke krijuar kësisoj një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore.

“Dhuna: Gjashtë përsiatje të tërthorta” Slavoj Zizek

Në këtë libër, Žižek analizon fenomenin e dhunës në të gjitha format që kjo merr në shoqëritë tona. Autori orvatet t’i kategorizojë këto forma (dhunë subjektive, objektive dhe sistemike) dhe, duke iu qasur këtyre nëpërmjet filozofisë, artit, studimit të rasteve historike, ai kërkon të nxjerrë në dritë ato zona të errëta, shpeshherë të fshehura, të ushtrimit të dhunës.

Janë “të tërthorta”, këto përsiatje, sepse një nga përfundimet më të rëndësishme të Žižek-ut për dhunën, veçanërisht dhunën sistemike, është se dhuna është një fenomen tejet kompleks dhe i shtresëzuar, aq sa subjektet e zhytura në këtë marrëdhënie, qofshin dhunues apo të dhunuar, e kanë të pamundur ta shquajnë apo ta mënjanojnë atë. Për këtë e për arsye të tjera, implikimet e këtyre përsiatjeve shtrihen thellë dhe gjerësisht mbi gjithë historinë e konflikteve bashkëkohore, sikurse në marrëdhëniet e përditshme të gjithsecilit prej nesh.

“E ardhmja e një iluzioni; Ligështimi në qytetërim” Sigmund Freud

Eseja e parë, përbën një nga shqyrtimet më të hollësishme të Freud-it mbi temën e fesë. Autori analizon lindjen, zhvillimin dhe përsiatet mbi të ardhmen e fesë si fenomen individual dhe shoqëror.

Në esenë e dytë, Freud analizon konceptin e “qytetërimit/kulturës” , funksionet që ai kryen në frenimin dhe rregullimin e instikteve të individit, dhe “ligështimin” që rezulton nga kjo marrëdhënie.

Të shkruara relativisht vonë në karrierën e gjatë të themeluesit të psikanalizës, pas tronditjes që pësoi perëndimi — dhe autori — nga lufta e përgjakshme e viteve ’14-’18 (L. I Botërore), esetë paraqesin një ndër tablotë më pesimiste të natyrës njerëzore dhe të qytetërimit sipas konceptimit frojdian, dhe shënojnë një pikë kthese të mëtejshme në mendimin e tij.

Veçanërisht eseja e dytë është një nga tekstet më të rëndësishme e më të studiuara të Freud-it. Më poshtë dy fragmente fare të shkurtra nga dy esetë.

“Gravura nga Buenos Airesi” Roberto Arlt

“Gravurat” janë një sërë skicash/tregimesh të shkurtra — herë vëzhgime të thukëta dhe ironike të jetës qytetase, herë kritikë shoqërore e mprehtë, herë fragmente me ngarkesë lirike — që autori i shkroi për vite me radhë në shtypin argjentinas.

Tituj terë: Fetë e plotikës:Mes demokracive dhe totalitarizmave (Emilio Gentile), Hyrje në filozofi për jofilozofët (Louis Athusser), Jetë imagjinare (Marcel Schwob) etj.

/Gazeta Express