Policia Rrugore e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar për mediat ka bërë me dije se gjatë 72 orëve ka vënë 6000 gjoba për shkelje të qarkullimit rrugor.
Po ashtu bëhet me dije se 14 shoferë janë arrestuar ose janë nën hetim për të njëjtën shkelje .
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore e Tiranës intensifikon kontrollet, me objektivin e vetëm, përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Plani i posaçëm i masave po monitorohet në terren, nga shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore.
Plani konsiston në monitorimin me pajisje inteligjente dhe në praninë e shtuar të shërbimeve të Policisë Rrugore, me objektiv kryerjen e kontrolleve për:
drejtuesit e motomjeteve, për vënien e kaskës mbrojtëse;
drejtuesit e mjeteve, për:
dhënien përparësi këmbësorëve, në vija të bardha;
mospërdorimin e celularit, gjatë drejtimit të mjetit;
vënien e rripit te sigurimit;
mosdrejtimin e mjetit, në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur;
respektimin e limiteve të shpejtësisë;
moderimin e shpejtësisë në zona të banuara;
parandalimin e parakalimeve të gabuara;
konstatimin e parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin.
Gjatë 72 orëve të fundit:
janë arrestuar/proceduar penalisht 14 drejtues mjetesh, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;
janë bllokuar 13 automjete;
janë vënë rreth 6000 masa administrative.
Shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Drejtues Lorenc Shehu, apel qytetarëve për respektim maksimal të rregullave të qarkullimit rrugor, si e vetmja mënyrë për të kontribuar në përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe për të parandaluar aksidentet me pasoja për jetën dhe shëndetin.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e kryeqytetit.