TikTok-ut i del problem edhe në Francë, hapen hetime për cenim të privatësisë - Gazeta Express
string(76) "tiktok-ut-i-del-problem-edhe-ne-france-hapen-hetime-per-cenim-te-privatesise"

TikTok-ut i del problem edhe në Francë, hapen hetime për cenim të privatësisë

Gazeta Express

11/08/2020 12:06

Vëzhguesi për privatësi të të dhënave në Francë, CNIL, njoftoi të martën se i ka nisur hetimet preliminare ndaj aplikacionit kinez, TikTok, pasi ka pranuar një ankesë në lidhje me këtë platformë.

Aplikacioni që është në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance” tashmë është nën hetime rreth privatësisë edhe nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Holandës, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Një ankesë për TikTok-un është pranuar në maj. Kjo ankesë tashmë është duke u hetuar”, tha një zëdhënës i vëzhguesit për privatësi të të dhënave.

Ai refuzoi të jepte më shumë të dhëna për natyrën e ankesës apo për identitetin e paraqitësit të ankesës.

Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët kanë thënë se ky aplikacion paraqet rrezik për sigurinë kombëtare për shkak të të dhënave personale që kalojnë nëpër të.

Në qershor, Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave tha se do të formojë një task-forcë për vlerësimin e aktiviteteve të aplikacionit TikTok në vendet anëtare të BE-së pas kërkesës nga një ligjvënës në lidhje me mbledhjen e të dhënave dhe rreziku që paraqitet ndaj sigurisë dhe privatësisë.

Në maj, vëzhguesi holandez i privatësisë tha se do ta hetojë mënyrën se si ky aplikacion i trajton të dhënat e miliona përdoruesve të moshës së re.