Tifozët e Real Madrid janë zemëruar pasi dëgjuan një koment nga komentatori zyrtar i Barcelonës gjatë fitores 7-3 ndaj FC Seoul, dhe tani kërkojnë një falje publike nga klubi katalanas.
Në ndeshjen miqësore të së enjtes në Korenë e Jugut, Barcelona triumfoi me rezultat të thellë, ku Lamine Yamal dhe Ferran Torres shënuan nga dy herë, ndërsa Robert Lewandowski, Andreas Christensen dhe Gavi shtuan nga një gol secili. Marcus Rashford, përforcimi i ri i Barçës, regjistroi asistin e tij të parë në fanellën blaugrana, duke luajtur përkrah ish-bashkëlojtarit të tij te Manchester United, Jesse Lingard.
Ndeshja u transmetua falas në kanalin zyrtar të Barcelonës në YouTube, pas problemeve me transmetimin e ndeshjes kundër Vissel Kobe.
Por komentatori i klubit tërhoqi vëmendje të madhe negative me një koment ironik për Luka Modrić, i cili së fundmi u largua nga Real Madrid pas një karriere të lavdishme, për t’iu bashkuar AC Milanit me një kontratë njëvjeçare.
Në koment, duke iu referuar një pasimi të gabuar të Modrić që çoi në golin e fitores të shënuar nga Jules Koundé në finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Madridit, komentatori tha:
“Nga ana jonë, nuk ia kemi bërë ende një homazh Lukës Modrić. Shërbimi i tij i fundit i madh ishte ai pasim për Kounden në finalen e Kupës së Mbretit.”
Kjo ironi u prit keq nga tifozët e Real Madrid, të cilët e konsideruan komentimin “pa klas dhe jo etik”, veçanërisht në krahasim me mënyrën se si Real Madrid kishte nderuar Andres Iniestën në faqen zyrtare kur ai u tërhoq nga futbolli.
Real Madrid e kishte përshkruar Iniestën si një lojtar që “kontribuoi me futbollin dhe vlerat e tij në madhështinë e këtij sporti” dhe i kishte uruar atij dhe familjes së tij gjithë të mirat.
Në rrjetet sociale, reagimet ishin të ashpra:
Një përdorues në X shkroi:
“Kur u pensionua Iniesta, Real Madrid publikoi një njoftim zyrtar duke lavdëruar karrierën e tij. Sot, Barcelona zyrtare në TV: ‘Nga këtu, nuk ia kemi bërë ende homazhin Modrić. Shërbimi i tij i fundit ishte pasimi për Kounden në finale.’ Klub pa klasë.”
Një tjetër tha:
“Real Madrid, Barcelona… kurrë s’do të pendohem që zgjodha Realin.”
Një tjetër shtoi:
“Klasin nuk mund ta blesh.”
Dhe një i katërt përfundoi:
“Klasi nuk lidhet me atë klub. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë hija e Real Madridit.”
Barcelona pritet të luajë sërish të hënën ndaj Daegu FC, në miqësoren e fundit të turneut aziatik, përpara se të presin Como-n e Cesc Fabregas më 10 gusht në trofeun tradicional Joan Gamper. /GazetaExpress/