string(96) "tifozet-e-novi-pazarit-ne-ndeshjen-ndaj-cervena-zvezdes-kosova-nuk-eshte-e-juaja-eshte-shqiptare"

Sport

Gazeta Express

18/05/2025 13:51

Tifozët e Novi Pazarit në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës: Kosova nuk është e juaja, është shqiptare

Sport

Gazeta Express

18/05/2025 13:51

Novi Pazari dhe Cërvena Zvezda luajtën një ndeshje dramatike që përfundoi me rezultat të barabartë 3:3, të shtunën në xhiron e parafundit të plejofit të Superligës së Serbisë.

Zvezda tashmë e ka siguruar titullin kampion, ndërsa Novi Pazari vazhdon të shpresojë për një kualifikim historik në garat evropiane, gjë që mund ta arrijë vetëm me fitore në ndeshjen e fundit kundër OFK Beogradit, në udhëtim.

Përballja në stadiumin e qytetit në Novi Pazar, e ndjekur nga rreth 9000 shikues, u karakterizua nga një atmosferë e tensionuar. Loja u ndërpre disa herë për shkak të hedhjes së mjeteve shpërthyese në fushë. Përveç tifozëve të zjarrtë vendas, të pranishëm ishin edhe mbështetës të Cërvena Zvezdës.

Mediat serbe kanë raportuar për parulla dhe këngë që erdhën nga tifo-grupi boshnjak i Novi Pazarit, “Torcida Sanxhak”, që përshëndetën Kosovën si pjesë të Shqipërisë dhe u drejtuan drejtpërdrejt kundër tifozëve beogradas si “Delije” dhe “Grobari”. Sipas “sportal.rs”, kjo është cilësuar si një “provokim i turpshëm në zemër të Serbisë”.

Kënga “E keni humbur Kosovën, ishte serbe, tani është shqiptare; dëgjoni Delije, dëgjoni Grobari, Kosova nuk do të kthehet” u këndua nga i gjithë stadiumi i Novi Pazarit. Si kundërpërgjigje, tifozët e Zvezdës brohoritën “Kosova është Serbi” dhe shfaqën flamurin serb të vendosur mbi hartën e Kosovës, duke shoqëruar gjithashtu thirrje për Ratko Mladiqin. Nga ana tjetër, tifozët vendas përmendën emrin e komandantit boshnjak Naser Oriq.

Edhe media tjetër nacionaliste serbe “informer.rs” shkroi për “skandal” dhe përkrahje ndaj shqiptarëve, duke theksuar se një gjë e tillë do të zemëronte gjithë Serbinë.

Tifozeria e Novi Pazarit ka një rivalitet të ashpër me tifozët e klubeve beogradase, dhe megjithëse janë më të paktë në numër, shpesh arrijnë të jenë në qendër të vëmendjes së mediave serbe./GazetaExpress/