Tifozët e Napolit e ofendojnë Osimhenin, pas veprimit të këtij të fundit - Gazeta Express
string(71) "tifozet-e-napolit-e-ofendojne-osimhenin-pas-veprimit-te-ketij-te-fundit"

Sport

Gazeta Express

18/07/2025 20:40

Tifozët e Napolit e ofendojnë Osimhenin, pas veprimit të këtij të fundit

Sport

Gazeta Express

18/07/2025 20:40

Victor Osimhen është bërë objekt i një reagimi të ashpër nga ultrasit e Napolit, teksa transferimi i tij drejt Galatasaray po shkon drejt përfundimit dhe pritet të bëhet përfundimtar.

Sulmuesi nigerian, i cili u transferua te Napoli nga Lille për 80 milionë euro në vitin 2020, ishte shndërruar në një ikonë për tifozët napolitanë, veçanërisht pas sezonit të titullit. Por marrëdhënia e tij me klubin u përkeqësua ndjeshëm kur verën e kaluar deklaroi se nuk do të luante më kurrë për Napolin.

Kur asnjë nga klubet e mëdha nuk e afroi, Osimhen u transferua në huazim te Galatasaray, një lëvizje që u pa si zgjidhje e përkohshme. Tashmë ai po shtyn për një transferim të plotë për rreth 75 milionë euro, dhe ka dorëzuar një raport mjekësor për të evituar pjesëmarrjen në grumbullimin parasezonal të Napolit, një veprim që zemëroi jo vetëm klubin, por edhe tifozët.

Në këtë kontekst, ultrasit e Curva A nga “Stadio Diego Armando Maradona” shpalosën një pankartë ku shkruhej:

“Osimhen, injoranca do të jetë gjithmonë elementi që të udhëheq në jetë… Katundar, mos harro se Maradona ka luajtur këtu!”

Ky mesazh i ashpër reflekton zhgënjimin e thellë të tifozëve për mënyrën se si po largohet lojtari, i cili deri vonë konsiderohej një hero i qytetit.

Ndërkohë, Napoli është në fazën përfundimtare të negociatave me Galatasaray, duke kërkuar që në marrëveshje të përfshihet një klauzolë që ndalon rikthimin e Osimhen në Serie A për dy vjet, përndryshe Galatasaray do të detyrohet të paguajë një penalitet të madh.

Kjo klauzolë është një kundërveprim ndaj Juventusit, që sipas raportimeve kishte shfaqur interes për Osimhen, një ide që ka shkaktuar furi në radhët e Napolit dhe tifozëve të tij.

Në këtë situatë të tensionuar, largimi i Osimhen nga Napoli duket vetëm çështje kohe — por ai largim nuk po ndodh me lavdi, por me përplasje./GazetaExpress/