Në Beograd është organizuar një protestë para Fakultetit Juridik pas një sulmi të dhunshëm ndaj Petar Zhivkoviq, student i këtij fakulteti, i cili u rrah brutalisht nga pesë persona të maskuar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në rrugën Dimitrija Tucovica.
Sipas dëshmisë së tij për portalin Nova.rs, Petar u ndalua nga një grup të rinjsh që mbanin maska dhe doreza me simbole të tifozëve të Crvena Zvezdës. Pasi u kërcënua, u godit me grushta në kokë dhe me kokë u përplas në një derë garazhi. Ai u dërgua me urgjencë në spital.
Studentët pretendojnë se ky nuk është incident i izoluar, por pjesë e një “sistemi represiv” që mbështetet nga pushteti dhe mediat proqeveritare. Në protestën para fakultetit u vendos një pankartë me pyetjen: “Deri kur?”, ndërsa u kujtuan edhe sulmet e mëparshme ndaj studentëve dhe profesorëve, si dhe presionet ndaj familjeve të tyre.
Petar është djali i Bogoljub Zhivkoviq, ish-gjeneral policie i cili u pensionua pas pjesëmarrjes së djalit të tij në protestat studentore. Ai kishte kritikuar publikisht pushtetin, Prokurorinë dhe shkeljet kushtetuese, duke thënë se “nuk ka frikë” dhe se “vendi ka arritur në pikën e shpërthimit”.
Studentët kërkuan zgjedhje të jashtëzakonshme dhe drejtësi, duke akuzuar qeverinë se e ka shndërruar shtetin në organizatë kriminale dhe universitetin në objektiv sulmi. Protestuesit marshuan drejt Presidencës, ndërsa të pranishmit brohoritën “ua” në përmendjen e presidentit Aleksandar Vuciq.
aaaaa