Tifozët e Arsenalit janë të gjithë të të njëjtit mendim pasi mësuan se kush u nënshkrua nga klubi përpara se Paris Saint-Germain të merrte Khvicha Kvaratskhelian.
“Topçinjtë” po mjekojnë plagët pas eliminimit nga gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve, ku u mundën me rezultat të përgjithshëm 3-1 nga PSG.
Skuadra londineze pati vështirësi për të përballuar lojtarë si Ousmane Dembele, Achraf Hakimi dhe Joao Neves gjatë dy ndeshjeve, ndërsa përforcimi i PSG-së në janar, Kvaratskhelia, ishte një tjetër që la gjurmë të thella.
Sipas The Sun, Arsenal kishte marrë informacion për herë të parë për Kvaratskhelian që në vitin 2021, kur ai luante me ekipin e të rinjve të Gjeorgjisë.
Sipas skautit Tomasz Pasieczny, klubi e kishte ndjekur me interes ndërkohë që sulmuesi ishte pjesë e Rubin Kazanit, por përfundimisht vendosën të mos e nënshkruanin. Disa muaj më vonë, ata firmosën me anësorin brazilian Marquinhos nga Sao Paulo.
“Kam qenë në stadiumin e vjetër në Kazan për një ndeshje kundër Dinamo Moscow,” kujton Pasieczny. “Khvicha hyri nga stoli, bëri dy driblime të dështuara dhe tifozët reaguan shumë negativisht. Në atë moment ai nuk po përballonte dot presionin. Çdo lëvizje e radhës ishte e gabuar, topi i shpëtonte, dukej që kishte humbur besimin”.
“Të gjithë e dinin se do të bëhej shumë i mirë, por nuk dihej sa i mirë. Nëse do të arrinte majat apo do të mbetej pak më poshtë. Pak kishin dyshime se nuk do bëhej fare. Megjithatë, në atë moment duhej të shkruaja situatën reale dhe të jepja vlerësim teknik.”
Marquinhos është ende lojtar i Arsenalit, me kontratë që skadon në vitin 2027, por ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje me ekipin e parë.
Tifozët e Arsenalit në rrjetet sociale u shprehën të zemëruar për vendimin për të zgjedhur Marquinhos përpara sulmuesit gjeorgjian.
Njëri e quajti vendimin si një “krim që meriton pushim nga puna,” ndërsa një tjetër shkroi: “Personi që e bëri këtë zgjedhje duhet të shkojë në burg për tradhti.”
Një i tretë, duke thumbuar ish-drejtorin Edu Gaspar, komentoi: “Edu është budalla.” /GazetaExpress/