Tifozët e Arsenalit kanë shpërthyer në reagime në rrjetet sociale pasi kanë parë transformimin fizik të Kai Havertz në prag të sezonit të ri.
Mesfushori ofensiv gjerman duket dukshëm më i fuqishëm, dhe pritshmëritë për një edicion të madh nga ai janë rritur ndjeshëm.
Pas një sezoni 2024/25 zhgënjyes, ku “Gunners” dështuan në të gjitha garat, trajneri Mikel Arteta po përgatitet për një fushatë vendimtare, me synimin për të fituar titullin e Premier League pas më shumë se dy dekadash.
Deri tani, Arteta ka shtuar në skuadër emra si Martin Zubimendi, Kepa Arrizabalaga dhe Christian Nørgaard, ndërsa përforcime të tjera si Cristhian Mosquera, Viktor Gyökeres, Eberechi Eze dhe Rodrygo vazhdojnë të përmenden si objektiva të mundshëm.
Skuadra ndodhet aktualisht në La Manga, Spanjë, ku po kryen fazën përgatitore para turit parasezonal në Azi.
Në këtë kontekst, një foto e Havertz ka tërhequr vëmendje të madhe, duke treguar qartë rritjen e tij fizike krahasuar me dy vite më parë.
Komentet e tifozëve nuk kanë munguar:
“Këto dy foto i ndajnë vetëm dy vite. Impresionuese sa shumë ka ndryshuar fizikisht Havertz”, shkroi një tifoz.
“Ky njeri është i fokusuar totalisht”, komentoi një tjetër.
“Ky sezon do të jetë vendimtar për të.”
“Pse ndjej që Havertz do të ‘shkëlqejë’ këtë sezon?”
“Tani duket si gjigant. E dua këtë. Shpresoj të rrisë edhe numrin e golave.”
“Kai duket shumë i vendosur… dhe ardhja e Gyökeres do ta ndihmojë edhe më shumë.”
Gjatë sezonit të kaluar, 26-vjeçari realizoi 15 gola dhe dha 5 asistime në 36 ndeshje në të gjitha garat, duke qenë golashënuesi më i mirë i Arsenalit në Premier League me vetëm 9 gola.
Që prej transferimit nga Chelsea në verën e vitit 2023 për 65 milionë paund, Havertz ka shënuar 29 gola në 87 ndeshje për klubin londinez – dhe nëse gjykojmë nga forma e tij aktuale, shifrat pritet të rriten ndjeshëm këtë sezon./GazetaExpress/