Big Brother VIP Kosova 4 pritej të kishte si konkurrente edhe teologen Igballe Huduti.
Megjithatë, një ditë para nisjes së spektaklit, ajo ka anuluar hyrjen për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortit.
Ky zhvillim ka hapur debat, për faktin nëse prezenca e një gruaje me mbulesë në një format të tillë shihet si “thyerje tabu” apo thjesht zgjedhje personale.
Në emisionin Kosova Today, sociologia Ambera Kelmendi pyeti pse thirret ajo në emër të teologes pa pasur shkollimin akademik në këtë drejtim.
“Parimisht nuk kam asgjë kundër zonjës. Është e drejta e saj të hyjë ose jo në Big Brother. Por më shqetëson fakti se po i referoheni si teologe”, tha Kelmendi.
Sipas saj, teologjia ka etapa dhe specializime të ndryshme, nga etika e deri te aspektet shpirtërore , ndërsa pjesëmarrja në një format si BBVK “nuk hyn as në njërën prej tyre”.
“Nëse ajo mbështetet në parime fetare, atëherë dihen shumë qartë disa kufizime, nuk lejohet të qëndrosh në një vend ku ka konsum të alkoolit, ku burrat dhe gratë jetojnë bashkë, ku përdoret gjuhë e rëndë dhe banalitet”, tha Kelmendi.