Në fillim të viteve ’80 zhurma kishte nisur të rritej, por viti 1986 ishte ai kur thrash metali shpërtheu me të vërtetë. Slayer, Megadeth dhe Metallica publikuan albume që do të linin gjurmë të thella në historinë e rock-ut.
Metallica, madje, la pas klubet e vogla dhe nisi të luante në arena si grup mbështetës i Ozzy Osbourne. Por ndërsa këto emra nga Kalifornia po ndryshonin përgjithmonë muzikën rock, mijëra kilometra larg, në Gjermani, një grup të rinjsh po ndërtonte një version edhe më të egër të këtij zhanri.
Kreator, Sodom, Destruction dhe Tankard — të njohur si “katërshja e madhe” e thrash-it gjerman — mund të mos kishin finesën apo profesionalizmin e bashkëmoshatarëve amerikanë, por e kompensonin me një agresivitet të pastër dhe të pakontrolluar. Muzika e tyre ishte më e shpejtë, më brutale dhe më e errët, duke vendosur një standard të ri për ashpërsinë në metal dhe duke ndikuar më pas brezat e ardhshëm të death metal-it dhe black metal-it.
Marcel “Schmier” Schirmer, vokalist dhe basist i Destruction, kujton se qasja gjermane ndaj thrash-it ishte që në fillim më e ashpër. Sipas tij, ata nuk synonin të ishin muzikantët më virtuozë, por të shkruanin këngë që godisnin fort. Shpesh dëgjonin albumet britanike të heavy metal-it dhe pyesnin veten pse këngët më të shpejta ishin gjithmonë vetëm në fillim të diskut ose në anën tjetër të vinilit. Kështu lindi ideja për të bërë albume të tëra me atë energji shpërthyese.
Si rezultat, viti 1986 solli albume themelore si Pleasure to Kill nga Kreator, Eternal Devastation nga Destruction dhe debutimin e Sodom me Obsessed by Cruelty.

Sodom u krijua në vitin 1982 si një mënyrë për t’i shpëtuar një jete të paracaktuar në minierat e Gelsenkirchen-it. Tom “Angelripper” Such tregon se i ati nuk donte që ai të bëhej muzikant dhe u zhgënjye kur ai la punën në minierë. Sipas të atit, me muzikë nuk fitohej bukë. Vetëm në vitin 1989, kur doli albumi Agent Orange, Angelripper filloi të merrte rregullisht para nga muzika.
Edhe Kreator, të formuar në Essen, lindën në një mjedis të dominuar nga minierat dhe fabrikat e mbyllura të çelikut. Miland “Mille” Petrozza kujton se pjesën më të madhe të kohës e kalonin duke provuar në bodrumin e një shkolle. Kur regjistruan Endless Pain në vitin 1985, kishin dhënë vetëm disa koncerte në qendra rinore. Turnetë e vërteta nisën vetëm pas daljes së Pleasure to Kill. Ndryshe nga Sodom, që minierat i shihnin si një kurth, Mille thotë se trashëgimia industriale e Essen-it u krijoi edhe mundësi: shumë miniera të vjetra ishin kthyer në hapësira kulturore ku zhvilloheshin prova, koncerte, teatër dhe art.
Ndërsa Kreator dhe Sodom kishin afërsinë gjeografike që u lejonte konkurrencë dhe bashkëpunim, Destruction ishin më të izoluar në qytetin e vogël Weil am Rhein. Schmier kujton se vendi ishte tepër konservator dhe fetar, ndaj muzika u bë porta e tyre e arratisjes. Fillimisht ishin vetëm gjashtë fansa metali në të gjithë qytetin, por krijuan një skenë të vogël të tyren. Për të siguruar koncerte, lidheshin me grupe si Kreator në Essen, Tankard në Frankfurt dhe Iron Angel në Hamburg.
Që në fillim, Destruction e jetonin plotësisht imazhin metal. Schmier kujton se një njeri nga label-i i tyre u kishte thënë se nuk ishte muzika ajo që shiste disqet, por pamja. Ai kishte të drejtë, por grupi nuk po e bënte këtë si strategji marketingu — ata vërtet dukeshin ashtu. Schmier madje shkoi me rripin me plumba edhe në funeralin e gjyshit, gjë që e tërboi të atin, i cili i tha se po e turpëronte përpara gjithë fshatit.
Pa ndonjë model lokal për ta ndjekur dhe shpesh të përqeshur nga shtypi muzikor gjerman, këto grupe mësuan gjithçka rrugës. Kontakti me grupe më të njohura ndërkombëtare i ndihmoi të mbijetonin. Schmier kujton me humor se Slayer i mësoi si të pinin gjatë turneut Hell Awaits. Nga ata, thotë ai, mësuan shumë gjëra të këqija. Sa për ndikimet muzikore, përmend Venom, Judas Priest dhe grupet e hershme hardcore si Minor Threat, Dead Kennedys dhe DRI.

Thrash metali i asaj kohe ishte i mbushur me referenca për luftë bërthamore dhe fundin e botës. Nëse amerikanët këndonin për kërcënimin e shkatërrimit, gjermanët jetonin me kujtimin konkret të Luftës së Ftohtë dhe të një vendi të ndarë nga Muri i Berlinit. Mille thotë se kjo situatë i ndikonte, edhe pse jo gjithmonë në mënyrë të vetëdijshme. Ishte një prani e vazhdueshme në sfond.
Në Gjermaninë Lindore, regjimi i rreptë dhe censura bënin që të kishte pak shkëmbime muzikore me Perëndimin, por muzika e grupeve perëndimore depërtonte fshehurazi edhe atje. Peter “Paule” Fincke, bateristi i grupit të njohur lindor Formel 1, kujton se albumet e heavy metal-it britanik arrinin ilegalisht dhe që në momentin që i dëgjuan, e kuptuan se ajo ishte muzika e tyre. Albumi i tyre i vetëm, Live im Stahlwerk, doli po në vitin 1986, i regjistruar në një ish-uzinë çeliku dhe me versione në gjermanisht të këngëve të Judas Priest dhe Iron Maiden.
Paule kujton gjithashtu se, pasi panë Iron Maiden në Poloni, u frymëzuan jo vetëm nga muzika, por edhe nga spektakli vizual i koncertit. Bashkë me një dizajner, ai krijoi për skenën e Formel 1 një oborr kështjelle me bedenë dhe shkallë. Në Gjermaninë Lindore, grupet duhej të zotëronin vetë gjithçka, sepse nuk kishte kompani që jepnin pajisje me qira. Kështu, ata bartnin tonelata skenografie dhe pajisjesh nëpër vend. Paule thotë se edhe sot i vjen keq për katër teknikët e grupit.
Megjithëse Formel 1 nuk zgjati mjaftueshëm për të parë rënien e Murit të Berlinit, në vitin 1990 Kreator u bë një nga grupet e para perëndimore të metalit që luajti në Berlinin Lindor. Megjithatë, vitet ’90 sollën vështirësi për të gjithë, për shkak të ngritjes së grunge-it dhe më pas nu metal-it. Si shumë grupe thrash në botë, edhe Kreator, Sodom dhe Destruction eksperimentuan me stile dhe përbërje të reja, ndërsa shitjet ranë.
Megjithatë, në vitet 2000 ata gjetën një ringjallje falë rikthimit të interesit për thrash-in klasik dhe faktit që grupe si Mayhem, Immortal, Morbid Angel dhe Cannibal Corpse pranuan ndikimin e madh të thrash-it teutonik në muzikën e tyre.
Sot, Sodom është në një periudhë pushimi të përkohshëm, ndërsa Angelripper i është përkushtuar gjuetisë, jetës private dhe projekteve të ribotimit. Kreator ka qenë së fundmi subjekt i një dokumentari dhe një libri të bashkëshkruar nga Mille, ndërsa albumi i tyre i 16-të, Krushers of the World, po shoqërohet me një turne të madh. Destruction, nga ana tjetër, ka bërë tashmë turne në Japoni, Tajlandë dhe Kinë, dhe po përgatitet për një seri koncertesh në SHBA me Overkill dhe Testament.
Sa për të ardhmen, duket se bota vazhdon t’u japë lëndë për tekstet e tyre. Schmier e thotë troç: do të donte të mund të shkruante një ditë se planeti është plot paqe dhe se nuk ka më për çfarë të bëjë këngë, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Sipas tij, duket se janë të dënuar të vazhdojnë të shkruajnë për sa e çrregullt dhe e shkatërruar është bota. /GazetaExpress/