Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se duhet pritur aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, kur u pyet nëse do ta respektojë vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit.
“‘’Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pas me 26 qershor, me 8 gusht, po ky me 8 gusht osht veç njoftim’’”, tha Kurti pasi mori pjesë në ceremoninë e 26-vjetorit të Doganës së Kosovës dhe diplomimit të gjeneratës së re të oficerëve doganorë, raporton KP, transmeton Gazeta Express.
Njoftimin mbi aktgjykimin, Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht, përmes së cilit urdhëroi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditësh.
Afati fillon të rrjedhë pasi të publikohet aktgjykimi i plotë në Gazetën Zyrtare, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Kushtetuesja tha se kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se ai mund të votohet vetëm deri në tri herë.
Ky vendim i Kushtetueses është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje – parti që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkaq është mirëpritur nga partitë që deri më tash ishin në opozitë.
Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh. Por, gjykata nuk pati treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi.
Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Procesi ka ngecur te votimi për kryetar të kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun por, ajo nuk ka marrë 61 votat e nevojshme.