Thjeshtimi banal i “së keqes” - Gazeta Express
string(27) "thjeshtimi-banal-i-se-keqes"

OP/ED

Gazeta Express

29/09/2022 16:37

Thjeshtimi banal i “së keqes”

OP/ED

Gazeta Express

29/09/2022 16:37

Në përpjekje për të goditur kundërshtarët, deputetë e qeveritarë po propagandojnë, duke e interpretuar realitetin në mënyrë sa më banale që është e mundur. Duke shfrytëzuar çdo mënyrë për t’i manipuluar dhe gënjyer qytetarët.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

E dëgjova të mërkurën një deklaratë skandaloze të kryetarit të Këshillit Grevist të SBASHK’ut. Ai e krahasoi qasjen e qeverisë karshi mësuesve me vitet ’90, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit.

Nuk ka poshtërsi më të madhe se të bëhet një krahasim i tillë, nga kushdoqoftë dhe për cilëndo qeveri qoftë. Vitet ’90 janë më të vështirat në historinë e re të Kosovës dhe çdo krahasim me regjimin kriminal të regjimit serb të asaj kohe është i turpshëm.

Gjatë këtij muaji të grevës në arsim, përfaqësuesit e SBASHK’ut nuk janë përmbajtur edhe në deklarata të tjera. Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, pas takimit me kryetarin e PDK’së, pati deklaruar se nuk duhet lejuar që Kosova të bëhet një shtet diktatorial. Kjo irritoi pushtetarët, të cilët e forcuan edhe më shumë qëndrimin e tyre se nuk do t’i plotësojnë kërkesat e sindikalistëve.

Në përpjekje për të nxjerrë qeverinë sa më të keqe, zyrtarët e SBASHK’ut kanë zgjedhur që “të keqen” ta thjeshtojnë aq shumë, ta banalizojnë.

Por, nuk janë të vetmit këta që veprojnë kështu. Deputetë të pushtetit e opozitës, por edhe qeveritarë e ish-qeveritarë çdo ditë manipulojnë në përpjekje për të përfituar politikisht.

Zyrtarët e Vetëvendosjes vazhdojnë të përmendin “20 vjeçarin” e famshëm të partive që kanë qenë në pushtet, ndërkaq ata nga opozita zgjedhin madje edhe të fyejnë njerëzit e qeverisë, duke i cilësuar si “nji shpi budallë”, siç vepron kryetari i AAK’së. Në këtë mënyrë, animozitetet partiake shtohen, e bashkë me to edhe diskursi i papranueshëm që tejkalon kufijtë e një komunikimi korrekt politik.

*  *  *

Manipulimet nuk prajnë as kur bëhet fjalë për çuarjen përpara të agjendave të caktuara në Kuvend. Sa e sa herë janë dëgjuar deputetë me orientim proislamik të përmendin udhëzimin administrativ “që ndalon shaminë në shkolla”, ndërkohë që nuk ekziston një dokument i tillë. Udhëzimi nuk ka të bëjë vetëm me shaminë në shkollë, por me një sërë ndalesash për nxënësit. Por, mënyra se si është interpretuar e keqinterpretuar me qëllim, ka krijuar përshtypjen në publik se bëhet fjalë vetëm dhe vetëm për ndalimin e shamisë.

Njësoj ka ndodhur edhe me projektkodin civil. Një numër deputetësh të shumicës parlamentare, por edhe të opozitës kanë votuar kundër, duke propaganduar se kodi mundëson martesën e personave të gjinisë së njëjtë. Kundërshtuesit e kodit civil kanë zgjedhur që të hedhin poshtë një ndër dokumentet më të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë, duke manipuluar se një nen i tij është rrezik për moralin e shoqërisë.

Pra, “gardianët e moralit” kanë zgjedhur, thjesht, të gënjejnë, për t’i arritur disa qëllime të vetat. Kodi i ri civil parasheh mundësinë për bashkësi civile të personave të të njëjtës gjini, por martesa rregullohet me ligj.

Këta “gardianë” janë të njëjtit që kërkojnë respektim selektiv të të drejtave të njeriut. Përderisa kërkojnë që të lejohet shamia në shkolla, në të njëjtën kohë janë kundër kodit civil. Megjithatë, këtë “të keqe” që, sipas tyre, po i kanoset shoqërisë, e kanë thjeshtuar deri në banalitet, duke ua përshtatur mbështetësve të tyre. Aq më keq, kur vetë kushtetuta e lejon atë që parashihet në kod, kurse e ndalon atë që e ndalon udhëzimi administrativ për shkollat.

*  *  *

Deputetë, qeveritarë e zyrtarë të tjerë publikë do të duhej të kishin më shumë përgjegjësi në deklaratat dhe veprimet e tyre. Por, mjafton për të përcjellë një seancë të Kuvendit, për të parë se në çfarë niveli debatojnë e “argumentojnë” ata.

Të zgjedhurit nga qytetarët e kanë për detyrë që ata t’i informojnë, e jo t’i keqinformojnë. Deputetët mund të kenë bindjet e tyre personale, por kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, ata duhet ta kanë të qartë rëndësinë që kanë ato për shoqërinë dhe shtetin.

“E keqja” dhe “të këqijat” duhet përmendur, por jo duke i thjeshtuar në aso mënyre, sa të mbeten vetëm një gënjeshtër. Jo duke cenuar një grup shoqëror, për ta favorizuar një grup tjetër. Jo duke mashtruar publikisht, në përpjekje për t’i arritur qëllimet e veta.