Ministrat e Jashtëm të Francës dhe 14 vendeve të tjera pjesëmarrëse në një konferencë të posaçme të OKB-së kanë lëshuar një “Thirrje nga Nju Jorku” duke u bërë thirrje vendeve të botës që të njohin shtetin e Palestinës, ka deklaruar të mërkurën ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot.
Sipas France24, Franca dhe 14 vende perëndimore kërkuan nga shtetet anembanë globit të ndërmarrin hapa për të njohur zyrtarisht shtetin palestinez.
Ministrat e Jashtëm të 15 vendeve kanë publikuar një deklaratë të përbashkët të martën në mbrëmje pas një konference në Nju Jork, e bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, me synimin për të ringjallur zgjidhjen me dy shtete ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.
“Në Nju Jork, së bashku me 14 vende të tjera, Franca po lëshon një apel kolektiv: ne shprehim dëshirën për të njohur Shtetin e Palestinës dhe ftojmë ata që ende nuk e kanë bërë këtë të bashkohen me ne,” ka shkruar Barrot në rrjetin X.
Raportohet se në deklaratë, të 15 vendet riafirmuan “angazhimin e tyre të palëkundur ndaj vizionit të zgjidhjes me dy shtete”. Ndërsa, nga nënshkruesit, nëntë vende që ende nuk e kanë njohur shtetin palestinez shprehën “gatishmërinë ose shqyrtimin pozitiv” për ta bërë një gjë të tillë, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re.
Deklarata është nënshkruar nga ministrat e jashtëm të: Andorrës, Australisë, Kanadasë, Finlandës, Francës, Islandës, Irlandës, Luksemburgut, Maltës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Portugalisë, San Marinos, Sllovenisë dhe Spanjës.
Gjatë konferencës, 17 vende së bashku me Bashkimin Evropian dhe Ligën Arabe u bashkuan në thirrjet për çarmatimin e Hamasit dhe fundin e sundimit të tij në Gaza, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës shkatërruese në territorin palestinez.
Kujtojmë se presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi javën e kaluar se do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, duke nxitur reagime të forta nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa, të martën, edhe kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës në shtator, përveç nëse Izraeli ndërmerr “hapa të rëndësishëm”, përfshirë një armëpushim në Gaza.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...