Thirrja alarmante për mungesë oksigjeni në Spitalin e Gjakovës, Zemaj reagon ashpër: E turpshme, e pamoralshme - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

03/12/2020 8:46

Thirrja alarmante për mungesë oksigjeni në Spitalin e Gjakovës, Zemaj reagon ashpër: E turpshme, e pamoralshme

Lajme

Gazeta Express

03/12/2020 8:46

Mbrëmë në media është raportuar se në Spitalin e Gjakovës ka mungesë të oksigjenit për pacientët që janë duke u trajtuar me COVID-19, raporton Gazeta Express.

Për këtë çështje ka folur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në TV Dukagjini, derisa është pyetur nëse është i vërtetë lajmi dhe thirrja që kanë marrë nga një mjek i këtij spitali se kanë oksigjen vetëm edhe për gjashtë orë.

Zemaj ka thënë se furnizimet janë të rregullta, e se lajmet për mungesë oksigjeni janë të pavërteta.

“Po mungesa ka pasë në vazhdimësi, ta quaj, po furnizimet janë të rregullta, me këto kapacitete që i ka nuk ka ndonjë shqetësim, nuk e di pse po e bën këtë pyetje.

S’është e vërtetë, është gënjeshtër, këto gënjeshtra janë të dënueshme me ligjin, idenfitikone atë mjek me emër e mbiemër. Kam pa statuse edhe në orët e vona mbrëmë, po i shfrytëzojnë këto në orë të vona në kurriz të pacientëve”, thotë Zemaj, duke shtuar se po bëhet panik.

“Është e turpshme, e pamoralshme që të shpërndahet panik. Nuk ju bën nder, le të gjejnë zgjidhje të tjera”, shtoi ai.

Ministri i Shëndetësisë ka treguar nëse në Kosovë do të ketë masa të reja.

“Kemi mbledhë gjithë inspektoratin, policinë, në zbatimin e masave, sidomos lëvizjes që bëhen gjatë ditës, mund të ketë edhe lëvizje, këto masa e kanë ndalë infeksionin, po duhet ta shtojmë kujdesin”, shton ai.

Për mungesën e oksigjenit në spitalin e Gjakovës ka shkruar mbrëmë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

“Që disa ditë jemi duke reaguar dhe duke kërkuar oksigjen për Spitalin Rajonal të Gjakovës dhe asgjë. Jetërat e njerëzve po rrezikohen nga moskokqarja juaj, mjëkëve dhe infermierëve po ua pamundësoni punën. Jeni përgjegjës si institucion dhe si zyrtar për këto punë. REAGONI! OKSIGJEN sillni…urgjent madje”, ka thënë ai.

Batusha ka reaguar përsëri pas këtij lajmi, duke thënë se 48 bombola të oksigjenit janë siguruar pas raportimit.

“Pas disa telefonatash dhe kontaktesh me institucionet, më informuan që 48 bombola me oksigjen janë siguruar për Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për sonte. Kjo gjendje që po ndodh jo rrallë herë në spitalet tona duhet të marrë fund duke siguruar sasi të mjaftueshme për shërbim dhe sasi të konsiderueshme rezervë për përdorim emergjent të oksigjenit. Nuk i meritojnë pacientët këto situata panike sepse mjaftushëm shqetësim kanë nga virusi. Shërim të shpejtë gjithë të infektuarve dhe dhashtë Zoti që të mos kemi më viktima në vendin tone”, ka thënë ai. /GazetaExpress/