Një tjetër sezon në Evropë dhe më pas rikthim në Brazil.
Ky është plan-programi i Thiago Silvas, i cili ëndërron të kthehet në shtëpi dhe ta vesh përsëri fanellën e Fluminenses, skuadër në të cilën ishte rritur.
Futbollisti i Chelseat megjithatë e pranon se për momentin po has në një pengesë, shkruan “Gazeta Express”.
“Tash e ardhmja i përket Zotit. Të gjithë e dinë se sa dëshiroj të rikthehem në Fluminense, por sot është e vështirë të flas me familjen time: fëmijët e mi nuk duan të jetojnë në Brazil. Kështu që, është një situatë e komplikuar. Sidoqoftë, e kemi ende një vit për të reflektuar dhe për ta kuptuar se çka do të bëjmë në vitin e ardhshëm”, u shpreh përfaqësuesi brazilian për “Globoesporte”.
Ish-futbollisti i Milanit dhe i Paris Saint-Germainit mund të rikthehet në Fluminense, ku kishte nisur gjithçka para 22 vjetësh, respektivisht nga viti 2002.
Tri vjet më vonë, në janarin e vitit 2005 ishte transferuar në Porto, ku kishte qëndruar vetëm 6 muaj.
Një aventurë e parë evropiane e paharrueshme, për të vazhduar më pas për 6 muaj në Dinamo Mosca dhe më pas një rikthim në formë huazimi, e më pas përfundimisht, pikërisht në skuadrën nga Rio de Janeiro.
Më pas, në vitin 2009 përfundoi në Milan, ku luajti për tri vjet, për t’u bërë më pas një legjendë e PSG-së dhe në fund për ta fituar Ligën e Kampionëve me Chelsean. /Gazeta Express/