Katër persona janë arrestuar në Prishtinë si të dyshuar për vrasje në tentativë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se një person ka pësuar lëndime nga therja me thikë në një përleshje që ka ndodhur të shtunën mbrëma në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në kryeqytet.
“Ndërkohë që kanë vazhduar veprimet hetimore të policisë, janë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit; J. B, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, K. K, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, A. XH, mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe O. A, mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ndaj të cilëve policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale ‘Vrasja në tentativë’ si dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’”, tha ai.
Me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.