Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar kërkesën për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, në rastin e padisë së paraqitur në formë grupore. Kjo është bërë, me arsyetimin se legjislacioni aktual nuk lejon mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive, shkruan Gazeta Express.
Në postimin e Shoqatës, thuhet edhe se, padia në fjalë ka qenë edhe e para në formë grupore, në emër të të gjithë prodhuesve.
Tutje, Oda Ekonomike e Kosovës s’ka ushtruar padi në emër të 1300 bizneseve, por se përmes hapjes së zyrës së re ligjore, është duke i ndihmuar bizneset në përpilimin e padive, një nga një, në mënyrë individuale.
‘‘Njoftimi për vendimin e Gjykatës Themelore lidhur me padinë grupore ndaj ZRrE-së
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës njofton se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar masën e sigurisë për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në rastin e padisë së paraqitur në formë grupore, me arsyetimin se legjislacioni aktual nuk lejon mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive.
Kjo ka qenë padia e pare grupore e ushtruar nga Shoqata në emër të gjithë prodhuesve vendor. Ashtu siç ka deklaruar edhe Kryetari Rafuna, për arsye të legjislacionit, Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka ushtruar padi në emër të 1300 bizneseve, por me hapjen e zyrës së re ligjore në kuadër të OEK, është duke i ndihmuar bizneset në përpilimin e padive, një nga një, në mënyrë individuale’’’, thuhet në postim.
Më tej, nga Shoqata, theksohet edhe se, Komercialja, ka pranuar dhe është duke trajtuar paditë individuale të paraqitura nga bizneset
‘‘Gjykata Komerciale ndërkohë ka pranuar dhe është duke trajtuar paditë individuale të paraqitura nga bizneset që janë pjesë e Shoqatës së Prodhuesve dhe biznese të tjera të prekura nga vendimi i ZRrE-së, prandaj si rrjedhojë Shoqata dhe bizneset e prekura do të vazhdojnë me ngritjen e padive individuale, të cilat po pranohen dhe trajtohen nga Gjykata. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje ZRrE-së të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca dhe ekonomia e vendit’’, thuhet në postim. /GazetaExpress