Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka njoftuar se sot ka ushtruar ankesë në Prokurorinë e Apelit, kundër aktvendimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës pasi kjo e fundit ka hedhur poshtë kallëzimi penal ndaj Mentor Llugaliut.
Kusari ka deklaruar se pasi që Themelorja e hodhi poshtë kallëzimin penal, Llugaliu është ‘‘trimëruar’’ dhe vazhdon ta ngacmojë atë.
‘‘Argumentet kryesore të parashtruara në ankesë janë:
1. Prokuroria Themelore gabimisht ka vlerësuar që në rastet e ngacmimit kërkohet komunikim direkt.
Në ankesë janë bashkangjitur dhjetra aktakuza për ngacmim përmes postimeve dhe shkrimeve (pa kontakt direkt) të cilat kanë rezultuar në aktgjykime dënuese ndaj ngacmuesëve online, përfshirë disa që janë shumë të ngjajshme me rastin tim të ngacmimit.
2. Prokuroria Themelore gabimisht ka vlerësuar që postimet e të pandehurit lidhen me pozitën dhe angazhimin tim në shoqëri.
Asnjëri nga 101 postimet ngacmuese të publikuara nga i pandehuri nuk kanë të bëjnë me pozitën apo angazhimin tim në shoqëri. Prokuroria ka dështuar të ofrojë të paktën një shembull nga 101 postimet ngacmuese për të elaboruar vlerësimin se si këto postime lidhen me angazhimin tim sepse nuk ekziston asnjë postim i të pandehurit që komenton apo kundërshton në përmbajtje kauzat në të cilat angazhohem unë’’, ka shkruar ajo mes tjerash.