Thellohet skandali : E njëjta kompani do të ndërtojë edhe incineratoin në Sherishtë të Vlorës - Gazeta Express

Thellohet skandali : E njëjta kompani do të ndërtojë edhe incineratoin në Sherishtë të Vlorës

Gazeta Express

19/10/2020 21:58

Qeveria Rama do të ndërtojë një incinerator në Sherishtë të Vlorës, ku aktualisht po ndërtohet një landfill. Ky është inceneratori i katërt i ndërtuar nga qeveria Rama, në 8 vjet.

Ai do të ndërtohet nga e njëjta kompani, e cila deri më tani ka marrë miliona euro për të ndërtuar inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës: Integrates Technology Service.

Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook, pak ditë më parë:

“Siç kemi bërë edhe në Elbasan, Fier dhe Tiranë, edhe në këtë vepër do të ndërtojmë një impiant riciklimi, pasi për ne, ndryshe nga sa bërtasin ata që janë të mirë për asgjë dhe që e lanë Shqipërinë një mal me plehra, rruga jonë e integrimit është me punë dhe jo me fjalë”.

Landfilli i Vlorës do të ndërtohen me një kredi të bankës gjermane KfW nga kompania shqiptare Integrated Technology Services.

Tenderi me vlerë 9,8 milionë euro u fitua më 12 qershor nga bashkimi i kompanive Integrated Technology Services dhe JV Bulfaro.

Autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar asnjë informacion në lidhje me kriteret e tenderit, kompanive pjesmarrëse dhe se si u përzgjodh fituesi.

Për ndërtimin e landfillit dhe përpunimin e ujrave të zeza të Vlorës, qeveria ka marrë 21 milionë euro financim, një kredi me vlerë 12,5 milionë euro nga Banka Federale Gjermane (KFW), si dhe dy grante të jashtme me vlerë 7,5 dhe 1,3 milionë euro.

Njoftimi i Ministrisë së Financave, në 15 dhjetor 2016, jepte shumë pak informacion:

“Landfilli do të ndërtohet në Sherrishtë të Vlorës me nje kapacitet prej rreth 350 mijë ton.

Pjesë e investimit do të jetë ndërtimi i sistemit të mbledhjes së gazrave, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura nga mbetjet, impianti i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme me kapacitet 60,000 ton/vit, kapacitete kompostimi për mbetjet organike me kapacitet deri në 4,200 ton/vit.”

Katër vite më pas, qeveria miratoi në 28 shkurt 2020, lejen për ndërtimin e landfillit të Vlorës nga Bashkia Vlorë.

Integrated Technology, kompania monopol e mbetjeve në vend

Kompania Intergrated Technology Services është në pronësi të Klodian Zotos. Ajo ka monopolin e inceneratorëve dhe landfilleve në vend.

Qeveria Rama, që prej vitit 2014 e deri më tani, çdo një vit i ka dhënë kompanisë një kontratë koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve (impiant djegieje) të mbetjeve në vend. Kompania menaxhon landfillet dhe impiantet në qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Elbasan, dhe Fier.

Exit.al