Prestigjiozja britanike The Telegraph ka renditur Shqipërinë mes 10 destinacioneve më të mira në Evropën Lindore për pushime në plazh, duke vlerësuar veçanërisht ishujt e Ksamilit, Rivierën shqiptare, Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Shkodrës.
Në artikullin dedikuar vendeve “mahnitëse dhe më pak të populluara” për pushime verore, The Telegraph e nis me përshkrimin e Ksamilit, të cilin e cilëson si “perlë të veçantë në detin Jon” me “katër ishuj idilikë, të rrethuar nga rërë e bardhë dhe ujëra kristal”.
“Akomodoheni në fshatin e afërt të Ksamilit dhe shfrytëzoni rastin për të vizituar Butrintin, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – një park kombëtar dhe qytet i lashtë me rrënoja që datojnë që nga shekulli VII para Krishtit”, shkruan gazeta britanike.
Artikulli rekomandon gjithashtu plazhin e Dhërmiut, si një alternativë më të përballueshme krahasuar me Rivierën Franceze.
“Këtu, guralecët e bardhë rrezatues përshkohen nga ujërat bruz të detit Jon dhe mbështeten nga Malet e Vetëtimës. Ju mund të shijoni ushqime deti të freskëta dhe sallata plot shije”, shkruhet më tej, duke sugjeruar edhe eksplorimin e fshatit të vjetër të Dhërmiut dhe plazhit të egër të Gjipesë.
Në vijim, The Telegraph fton lexuesit të vizitojnë Liqenin e Ohrit, një destinacion unik që ndan kufijtë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu vlerësohet Liqeni i Shkodrës, si liqeni më i madh në Evropën Jugore, i pasur me biodiversitet dhe monumente historike.“Këtu, të apasionuarit pas natyrës mund të bëjnë vëzhgim zogjsh, të eksplorojnë gjire të fshehura dhe të vizitojnë manastire apo xhami historike”. Ndër destinacionet e tjera të përmendura në listë janë Ujëvarat e Kravicës në Bosnje-Hercegovinë, Liqeni Balaton në Hungari dhe plazhet e Malit të Zi.