Mediat ndërkombëtare vijojnë t’i dedikojnë artikuj vendit tonë, ku në fokus kanë gjithnjë e më tepër turizmin. Së fundmi, britanikja “Mirror” ka publikuar një artikull që e konsideron Shqipërinë si një vend të bekuar me një klimë mesdhetare dhe temperatura që arrijnë mbi 30 gradë Celsius, duke u shndërruar në një parajsë për adhuruesit e diellit dhe plazhit.
“Mirror” nënvizon në artikull se Shqipëria është quajtur “Maldivet e Evropës” falë brigjeve të saj me rërë të pastër dhe ujëra të kristalta që zbukurojnë rivierën e saj spektakolare, duke tërhequr gjithnjë e më shumë edhe turistët britanikë.
Vizitorët mund të kënaqen me akomodime luksoze pa u sforcuar financiarisht, pasi në shumë raste mund të gjejnë apartamente në bregdet me 20 paund nata. Gjithashtu, sipas britanikes “Mirror”, edhe ushqimet e shijshme dhe pijet e ndryshme kushtojnë rreth 15 paund.
Falë një morie videosh në TikTok që shfaqin plazhet e mrekullueshme, Shqipëria është bërë një pikë atraktive për pushuesit që kërkojnë një përvojë të ngjashme me plazhet më të bukura nëpër botë.
E përditshmja britanike “Mirror”, në artikullin e fundit, shkruan se Shqipëria krenohet me koston e ulët të jetesës në Europë, me dhoma hoteli në qendër të Tiranës që kushtojnë rreth 30 paund, përfshirë mëngjesin.
Gjithashtu, një destinacion tjetër që sugjerohet në artikull është edhe Dhërmiu, ku mund të ngrini një kamping dhe të eksploroni një plazh të ri çdo ditë, dhe mbi të gjitha mund të konsumoni një vakt dreke shumë herë më të lirë se në Britani.
Në artikullin për vendin tonë, “Mirror” përshkruan edhe përshtypjet e një blogereje britanike, e cila tregon përvojën e saj në Shqipëri, ku ajo shprehet se, së bashku me shoqen e saj, po planifikonin të shkonin në Kroaci, por një nga miqtë e tyre që kishte qenë më parë në vendin tonë për turizëm ua kishte rekomanduar ta vizitonin patjetër, pasi është shumë herë më i lirë se Kroacia dhe Greqia.