The Economist: Kosova dëshmon se plani i Donald Trump për Gazën mund të funksionojë - Gazeta Express
string(82) "the-economist-kosova-deshmon-se-plani-i-donald-trump-per-gazen-mund-te-funksionoje"

OP/ED

Gazeta Express

02/10/2025 15:29

The Economist: Kosova dëshmon se plani i Donald Trump për Gazën mund të funksionojë

OP/ED

Gazeta Express

02/10/2025 15:29

Revista The Economist e ka ftuar ish ministrin e jashtëm të Kosovës Petrit Selimi të reflektojë për planin e Presidentit Trump për Gazën dhe përvojën e Kosovës me administratën ndërkombëtare.

Me ftesë | Pak Ballkan në Lindjen e Mesme?

PLANI I PRESIDENTIT DONALD TRUMP për t’i dhënë fund luftës në Gaza ofron diçka të rrallë: një rrugë përpara për popullin e Gazës dhe të Izraelit. Propozimi me 20 pika do të ketë nevojë për sqarim dhe negociata të mëtejshme, por ai adreson domosdoshmërinë afatshkurtëre të ndalimit të bombardimeve dhe vrasjeve, kthimin e pengjeve izraelite dhe lirimin e të burgosurve palestinezë. Thelbësisht, ai ofron gjithashtu një formulë afatmesme për një administratë të përkohshme që mund të sjellë një epokë të re paqeje për palestinezët dhe izraelitët.

Një element kyç i planit parashikon që Gaza të qeveriset “nën administrimin kalimtar të përkohshëm të një komiteti palestinez teknokrat, apolitik”, i përbërë nga “palestinezë të kualifikuar dhe ekspertë ndërkombëtarë”, me mbikëqyrje nga një trup ndërkombëtar tranzicional, “Bordi i Paqes”, i kryesuar nga z. Trump dhe me Sir Tony Blair, ish-kryeministër britanik, që ldo të luan një rol qendror.

Ky lloj bordi qeverisës i përkohshëm nuk është një ëndërr e parealizueshme. As nuk është, siç kanë sugjeruar disa, një relike e së kaluarës koloniale. Plani mund të funksionojë. Shembulli i vendit tim, Kosovës—një shtet dy herë më i madh se territoret palestineze, dhe me një popullsi pak më të vogël se ajo e Gazës—tregon pse nisma e z. Trump meriton mbështetje.

Kur, në fund të viteve ’90, Kosova u përball me shkatërrim nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, duke nxitur bombardimet e NATO-s ndaj makinerisë ushtarake serbe, shumë skeptikë dyshuan se paqja mund të sundojë apo se mund të kishte pajtim në atë pjesë të Ballkanit pas aq shumë gjakderdhjeje.

Megjithatë, fuqitë perëndimore vepruan shpejt për të krijuar një administratë të përkohshme nën mandatin e përkohshëm të OKB-së. Ajo u udhëhoq nga figura ndërkombëtare me kredibilitet si Sérgio Vieira de Mello, një diplomat brazilian me përvojë të madhe, dhe Bernard Kouchner, ish-ministër i jashtëm francez.

Misioni i përkohshëm në Kosovë (UNMIK) shpejt tregoi vlerën e vet. Udhëheqja shqiptare e Kosovës shfrytëzoi mundësinë dhe ra dakord për çarmatimin e guerilëve që ishin pro-perëndimorë. Por ishte administrata ndërkombëtare e përkohshme që fillimisht menaxhoi rindërtimin, e hapi Kosovën ndaj angazhimit global dhe, më e rëndësishmja, përgatiti terrenin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga kaosi, Kosova filloi të ndërtonte institucione demokratike që i lejuan popullit të saj të kontrollonte fatin e vet. Vende të ndryshme kontribuan me ekspertizën e tyre: diplomati i njohur norvegjez, Kai Eide, ndihmoi në krijimin e një force policore profesionale; Amerika ndihmoi në ndërtimin e sistemeve moderne bankare dhe të drejtësisë (si dhe sigurimin e trupave për misionin e NATO-s KFOR); BE financoi rindërtimin fizik dhe mbështetjen për bizneset; OSBE organizoi zgjedhje të lira dhe të pavarura; dhe KFOR siguroi sigurinë e përgjithshme.

Edhe pse paralelet nuk janë të përsosura—Kosova shtrihet në prag të BE-së, vendeve të pasura, paqësore dhe demokratike që të gjitha të interesuara ta shohin Kosovën të ketë sukses—plani i z. Trump për Gazën ka jehonë të këtij modeli të testuar. Inkurajueshëm, plani duket se gjen një ekuilibër të kujdesshëm midis pronësisë lokale dhe ekspertizës ndërkombëtare. Duke marrë në konsideratë rolin kyç për figura si Sir Tony, i cili ka përvojë të thellë dhe pak kontraverse në Lindjen e Mesme (dhe një status heroik në Kosovën me shumicë myslimane pas rolit të tij në fushatën ajrore të NATO-s në 1999) së bashku me figura kredibile palestineze, propozimi i paqes mund të arrijë të shmangë perceptimin se dominohet nga të huajt. Sa më i gjerë të jetë koalicioni i palëve të interesuara, aq më pak shanse ka që projekti të bjerë pre e makinacioneve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, apo të tërhiqet në moçalin që është politika palestineze.

Ka edhe elementë të tjerë të precedentit kosovar që shpjegojnë pse Sir Tony mund të jetë i prirur të mbështetet te përvoja e Kosovës në hartimin e planeve për një autoritet tranzicional në Gaza. Misioni i përkohshëm në Kosovë shpejt kombinoi legjitimitetin e figurave dhe organizatave ndërkombëtare me njohuritë dhe përfshirjen e liderëve lokalë të të gjitha ngjyrimeve politike. U bënë përpjekje për të siguruar balancë gjinore, etnike dhe fetare.

Në Gaza një trup hibrid i tillë duhet të fillojë rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar, duke kanalizuar burime për rindërtim ndërsa duhet të sigurohet edhe që realitetet politike dhe ndjeshmëritë kulturore të respektohen. Sir Tony sjell peshë dhe përvojë në skenën botërore; liderët palestinezë sjellin përvojën e jetuar dhe besueshmërinë vendore të nevojshme për të lidhur dhe përfaqësuar popullin e Gazës.

Forca përfundimtare e planit të z. Trump qëndron në premtimin e tij për një rrugë drejt paqes, edhe pse kjo nuk ështe ende plotësisht e qartë. E ngulitur brenda planit është marrëveshja me vendet arabe që populli i Gazës të mos lihet në një status kuo dhe që palestinezët kanë të drejtë të qëndrojnë në atdheun e tyre historik. Kyç do të jetë mirëkuptimi se administrata e përkohshme dhe Bordi i Paqes është proces, jo destinacion. Kjo do të thotë organizimin e zgjedhjeve demokratike, vendosjen e qeverisjes në duart e duhura palestineze dhe dhënien e garancive të forta për sigurinë e Izraelit.

Kosova na mëson se një qartësi e tillë është jetike. UNMIK pati sukses menjëherë pas luftës vetëm sepse misioni i tij ishte transparent: të stabilizonte institucionet ekzistuese dhe të ndërtonte tinstitucione ë reja sipas nevojës. Por kosovarët u bënë të padurueshëm kur tranzicioni filloi të ngadalësohej ndërsa burokracia e përkohshme e OKB-së nisi të merrte aromë përhershmërie. Procesi politik për status u hartua dhe filluan negociatat për statusin final. Kosova nuk u shkapërderdh kur UNMIK-u u zbeh pasi misioni fillestar administrativ përfundoi. Kosova u bë e pavarur nën një plan të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm i Finlandës, Martti Ahtisaari, për të cilin ai fitoi çmimin Nobel për paqe. Duket e pabesueshme, por Kosova sot është një nga destinacionet më të sigurta në Evropë, sipas hulumtimeve të Gallup.

Lufta në Gazë është e tmerrshme. Pajtimi i vërtetë mund të mos vijë kurrë. Por plani i Trump është pragmatik dhe i bazuar në precedentë. Dhe mund të jetë pikërisht çka i duhet popullit të Gazës. ■

(Petrit Selimi është ish-ministër i jashtëm i Kosovës. Ai është fellow në Qendrën për Diplomaci Publike të Universitetit të Kalifornisë Jugore.)