Thaçi kërkon nga Apeli që të hudhet aktakuza ndaj tij në rastin kundër administrimit të drejtësisë - Gazeta Express
string(98) "thaci-kerkon-nga-apeli-qe-te-hudhet-aktakuza-ndaj-tij-ne-rastin-kunder-administrimit-te-drejtesise"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 9:27

Thaçi kërkon nga Apeli që të hudhet aktakuza ndaj tij në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 9:27

Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokates Sophie Menegon ka kërkuar nga Gjykata e Apelit të Speciales që të vendosë se gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot nuk ishte kompetente për të konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe rrjedhimisht kërkoi që të hudhet poshtë akti akuzues.

Më 8 maj 2025, mbrojtja kishte parashtruar se gjyqtarja Masselot s’kishte juridiksion mbi çështjen e Thaçit në të cilën akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, më 19 qershor 2025, gjyqtarja Masselot kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes. Por, më 30 qershor 2025, mbrojtja kërkoi leje për apelim dhe më 23 korrik 2025 u vendos që të lejohet apelimi.

Mbrojtja argumentoi se trupi gjykues në rastin për krime lufte ishte privuar nga mundësia për të menaxhuar aspektet themelore të çështjes së saj sepse Prokuroria krijoi procedura paralele tek gjyqtarë të tjerë për aspekte të çështjes për krime lufte.

Madje, mbrojtja thotë se ndonëse ekziston rasti kundër administrimit të drejtësisë, pyetja nëse Thaçi ndikoi në dëshmitarë mbetet të marrë përgjigje në çështjen për krime lufte.

Në kërkesë, thuhet se trupi gjykues tashmë ka pranuar prova lidhur me këtë aspekt dhe kjo rritë mundësitë reale që gjetjet në këto pyetje faktike të bëhen në aktgjykimin e gjykimit krime lufte.

Menegon pretendon se gjyqtarja e procedurës paraprake aplikoi gabimisht parimin “res judicata”.

Avokatja thotë se arsyetimi i Masselot për parimin në fjalë është interpretuar gabimisht, duke thënë se palët në çështjen për krime lufte dhe atë kundër administrimit të drejtësisë zhvillojnë procedura në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

“Në të vërtetë, fakti që dy vendimmarrës gjyqësorë do të bëjnë vlerësime të ndara, dhe mund të jenë ndryshe, është pikërisht arsyeja pse parimi është i nevojshëm për të parandaluar gjetje të pasakta ndërmjet palëve të përbashkëta në proces”, thuhet në parashtrim.

Mbrojtja kishte parashtruar se caktimi i Masselot edhe si gjyqtare për udhëheqjen e çështjeve hetimore para aktakuzës si dhe më pas emërimi i saj si gjyqtare e procedurës paraprake, e shkel ligjin e DhSK-së.

Pra, Menegon argumenton që sipas ligjit, një gjyqtar nuk mund të emërohet për të vendosur në dy faza të ndryshme të së njëjtës çështje. Ky rol i dyfishtë, sipas mbrojtjes është luajtur edhe nga gjyqtari Nicolas Guillou e më pas edhe nga Masselot.

“Kjo shkel kuptimin dhe qëllimin e qartë të Nenit 33(4) të Ligjit të DhSK-së, i cili siguron se një gjyqtar nuk mund të vendos kurrë në faza të ndryshme të të njëjtës çështje”, thuhet në parashtrim.

Por, në vendimin e saj ku u refuzua ankesa e mbrojtjes, Masselot kishte thënë se nuk mund të vendoste ajo për ankesën kundër emërimit të saj, pasi emërimi është përgjegjësi e kryetares së gjykatës.

Mbi këtë bazë, avokatja Menegon kishte kërkuar edhe hudhjen e aktakuzës, e që Masselot e kishte refuzuar këtë kërkesë e cila më pas i ishte drejtuar Apelit.

“Parashtresa e mbrojtjes argumentoi se caktimi i Gjyqtares Masselot si Gjyqtare Paraprake ishte i pavlefshëm jo për shkak se ajo ishte e paanshme, por sepse caktimi i saj shkelte Nenin 33 të Ligjit të DhSK-së”, thuhet në parashtrim.

Andaj, për këto arsye, mbrojtja kërkoi nga Paneli i Apelit që të shfuqizojë vendimin e kontestuar dhe të konstatojë se gjyqtarja e procedurës paraprake nuk ishte kompetente për konfirmimin e aktakuzës në çështjen 12, për rrjedhojë të hudhet aktakuza në këtë çështje.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.