NATO ka përcjellë një mesazh të qartë në mbështetje të operacionit të BE-së “Althea” në Bosnjë e Hercegovinë, në kuadër të Marrëveshjes së Berlinit, dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mandatit të këtij misioni. Një zyrtar nga selia e NATO-s në Bruksel, në një deklaratë për agjencinë FENA, tha se Aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi të sigurisë në vend.
Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj komenteve të fundit të ish-presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, i cili në një intervistë për mediat ruse paralajmëroi një vizitë në Moskë ku do të kërkonte nga Rusia që të vendosë veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të bllokuar vazhdimin e misionit të EUFOR-it në BeH. Ai gjithashtu deklaroi se do të kërkojë mbështetjen e Rusisë për një referendum mbi pavarësinë e entitetit të RS-së.
Zyrtari i NATO-s theksoi se siguria e Bosnjë e Hercegovinës është thelbësore për stabilitetin e rajonit, Evropës dhe gjithë Aleancës Veriatlantike.
“Ne mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës. Çdo kërcënim për shkëputje është destabilizues dhe i rrezikshëm. Ne mbështesim BeH-në dhe institucionet e saj shtetërore”, theksoi ai.
NATO mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit me BeH-në, duke thelluar dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik, përfshirë bashkëpunimin përmes zyrës së NATO-s në Sarajevë dhe Njësisë për Mbështetje të Angazhimit Politik.
Zyrtari bëri të ditur se NATO mbështet gjithashtu përpjekjet për reforma që synojnë ta bëjnë BeH-në më të qëndrueshme dhe më të sigurt, përmes Paketës së Ndihmës për Ndërtimin e Kapaciteteve Mbrojtëse. Kjo paketë përfshin ndihmë në fushat si menaxhimi i krizave, mbrojtja kibernetike, lufta kundër terrorizmit dhe rritja e ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura të BeH-së me NATO-n.
Ai paralajmëroi se gjatë këtij viti pritet të nisin disa programe të reja në fusha si lufta kundër terrorizmit, mbrojtja kibernetike, evakuimi ajror, policia ushtarake dhe menaxhimi i krizave.
“Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm. Aleatët dhe partnerët e NATO-s kanë investuar mbi 8 milionë euro në një fond të posaçëm ‘Trust Fund’, dhe vazhdojnë të caktojnë ekspertë për zbatimin e iniciativave specifike”, shtoi ai.
Zyrtari theksoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të siguruar që përpjekjet e tyre të jenë plotësuese. Sipas tij, stafi i NATO-s i ngarkuar për këtë bashkëpunim është në konsultim të vazhdueshëm me BE-në për çështje me interes të përbashkët si mbikëqyrja ajrore, mbrojtja kibernetike dhe lufta kundër terrorizmit.
Në fund, ai përmendi se Paketa për Ndërtimin e Kapaciteteve Mbrojtëse bazohet në bashkëpunimin e mirë të deritanishëm në fusha si arsimi ushtarak profesional dhe qeverisja e mirë, dhe se NATO do të vazhdojë diskutimet me autoritetet në BiH për fusha të mëtejshme të bashkëpunimit.