Tetë persona janë vrarë dhe 31 të tjerë janë plagosur në një sulm ajror në bregdetin Ramlet al-Baida të Bejrutit herët të enjten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë Publike të Libanit, shkruan CNN.
Video nga Reuters tregoi vetura të parkuara me xhama të thyer, disa ambulanca dhe dhjetëra njerëz të mbledhur në bregdetin e rrethuar me palma pas sulmit, i cili ndodhi në orën 1 të mëngjesit sipas kohës lokale, sipas ministrisë.
Zona përbëhet nga një trotuar dhe një plazh i mbushur me njerëz të zhvendosur nga sulmet izraelite.
Izraeli nisi “një valë të gjerë sulmesh që synonin infrastrukturë terroriste që i përket Hezbollahut” në gjithë Libanin gjatë natës deri të enjten, sipas zëdhënësit ushtarak në gjuhën arabe të Izraelit, Avichay Adraee.
Trupat gjetën dhe shkatërruan dhjetëra vende lëshimi dhe eliminuan disa anëtarë të Hezbollahut që “po planifikonin të lëshonin raketa drejt territorit izraelit”, tha Adraee.
Ai gjithashtu tha se Izraeli kreu sulme ndaj 10 ndërtesave që ai tha se po përdoreshin si “seli terroriste” në periferitë jugore të Bejrutit.