Testet e antitrupave/ Doktori shqiptar në New York u përgjigjet pyetjeve më të rëndësishme - Gazeta Express
string(89) "testet-e-antitrupave-doktori-shqiptar-ne-new-york-u-pergjigjet-pyetjeve-me-te-rendesishme"

Testet e antitrupave/ Doktori shqiptar në New York u përgjigjet pyetjeve më të rëndësishme

Gazeta Express

23/05/2020 15:19

 Në një kohë që e gjithë bota është në kërkim të një vaksine kundër Covid-19, një nga gjërat që ka qenë në pararojë të aktiviteteve është testimi i antitrupave.

Ky testim ka qenë një nga faktorët në procesin e vendimmarrjes për të hapur bizneset dhe për të rikthyer normalitetin në vend.  Por sigurisht në këtë kohë  janë ngritur shumë pyetje: Cili është testi i antitrupave? Si aplikohet? Çfarë do të rezultati pozitiv për antitrupat kundër Covid-19?

Lexo Edhe:

Për këtë çështje mjaft të rëndësishme,  Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik, dhe drejtor i Shëndetit dhe Sigurisë për Transportin Publik në New York, dhe nënkryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” përmes një postimi në Facebook ka dhënë disa përgjigje kuptimplota për pyetjet e mësipërme lidhur me Covid-19.

Postimi i Camaj ne Facebook

“Derisa me vëmendje vazhdojmë të shikojme për lajme të mira në luftën kundër koronavirusit, jo veç në kërkime të vaksinës, barnave dhe ilaçeve kurative, dhe një nga gjërat që ka qenë në fokus të aktiviteteve, ditëve të fundit, është testimi i antitrupave ndaj Covid-19. Ky testim ka qenë një nga faktorët kryesorë në procesin vëndimmarres, për të hapur bizneset dhe për të rikthyer përsëri në një farë normaliteti të cilin të gjithë mezi e presim. Natyrisht, për gjëra të ‘reja’ pritën dhe pyetjet
– Çka është ky test? Si punon? Çka do të thotë nëse dilni pozitiv, për antitrupa ndaj Covid-19?

Në këto dy-tre paragrafë të shkurtëra, do të jap disa përgjigje

Thënë thjesht, testimi për antitrupa është një mënyrë për të shikuar nëse sistemi ynë imunitar është përgjigjur ekspozimit ndaj një virusi, bakterie apo patogjenëve të tjerë. Në rastin e Covid-19, ky testim është një mënyrë për të parë se kush ka qenë i ekspozuar dhe se kush e ka pas koronavirusin e ri. Testet e antitrupave ndryshojnë nga testimet ndaj virusit, ku ky i fundit përdoret për diagnozat konfirmuese të sëmundjes. Megjithëse testet e antitrupave, për disa nga patogjenët tjerë, mund të përdorën dhe për të diagnostifikuar sëmundjet, ato nuk janë në veçanti të dobishme për diagnozat e Covid-19. Kjo ndodhë sepse antitrupat që luftojnë kundër këtij virusi nuk formohen deri të paktën 1-2 javë pas simptomave të para të sëmundjes.

Çka janë antitrupat dhe pse janë të rëndësishme testet për antitrupa?
Kur ne ekspozohemi ndaj virusit, kryesisht përmes piklave te vogla, që përmbajnë viruse, nga të kolliturit, apo teshtja e ndokujt në afersinë tonë, qelizat tona imunitare menjëherë anagazhohën në mbrojtje. Aty, një grup qelizash shumë të specializuara sulmojnë virusin dhe e copëtojnë atë në fragmente të vogla. Këto fragmente u paraqiten më vonë një grupi tjetër të qelizave të specializuara, të quajtura qelizat ‘B’. Kur fragmentet e virusëve futen në qelizat B, këto qeliza shndërrohen në fabrikë antitrupash që i lëshojnë ato në qarkullimin e gjakut. Pra, thelbi i testit të antitrupave është të konfirmohet prania e këtyre antitrupave në gjakun tonë, por mjafte me imunologji për këtë seancë! Rezultatet e testit të antitrupave do të luajnë një rrol kritik në luftën kundër Covid-19, duke ndihmuar autoritetet e kujdesit shëndetësor dhe të shëndetit publik të vlerësojnë reagimin imunitar tek popullatat dhe individët, duke i ndihmuar ata që të marrin vendime për njerëzit që kthehen në punë, dhe ndoshta lehtësimin e masave te distancimit shoqëror.

Dime se nuk dime! A e konfirmon imunitetin ndaj Covid-19 testi pozitiv per antitrupa?
Për të parafrazuar ish Sekretarin e Shtetit të SHBA’s, Donald Rumsfeld, i cili në një kohe kritike gjat ngjarjëve të 11 Shtatorit, deklaroi se ka gjëra që “ne e dimë se nuk dimë.” Duke qenë se ky është një virus i ri, për të cilin mësojmë çdo ditë, aktualisht testi i antitrupave nuk është një gjë e sigurt për të konfirmuar imunitetin ndaj Covid-19. Nëse ekziston imuniteti dhe mbrojtja, gjithashtu nuk dihet se sa mund të zgjasë kjo mbrojtje. Disa studime me numër relativisht të vogël të mostrave tregojnë “përmirësime të konsiderueshme” në simptomat e pacientëve, pasi u trajtuan me serum nga ata që mbijetuan Covid-19. Një gjë tjetër që testi i antitrupave mund të na tregojë është se sa larg jemi nga i ashtuquajturi imuniteti i “tufës”, ku njerëz ne numer te mjaftueshëm (60-80% e popullatës) kanë formuar imunitet ndaj virusit. Nga kjo ne jemi shumë larg! Optimale do të ishte nëse pas ekspozimit ndaj këtij virusi, trupi i përgjigjet me antitrupa që zgjasin tërë jetën, sikurse imuniteti ndaj fruthit dhe disa infeksione të tjera viruale. Tani për tani, duhet të jetojmë gjatë kësaj periudhe pasigurie dhe ankthi, ndërsa t’u japim shkencëtarëve të gjitha mjetet që u duhen për të dalë me përgjigje dhe zgjidhje efektive për pyetjet që i kemi të gjithë.

Përfundimisht, një shënim pozitiv në kërkim të vaksinave:
Ditëve të fundit, një raport shpresëdhanës nga puna e Institutit Kombëtar të Shëndetit të SHBA, me një grup bioteknik nga Massachusetts, tregon se në provën klinike të Fazës I, në 40 persona, pjesëmarrësit e këtij studimi kanë zhvilluar antitrupa që neutralizojnë virusin, pa efekte negative për pjesëmarrësit e këtij studimi. Është ky një hap i parë dhe i madh në drejtim të vaksines efektive dhe të sigurt që do të ndalojë koronavirusin dhe do t’i japë fund kësaj pandemie globale. • Autori është nënkryetar i Vatrës”– ka shkruar Camaj.