Një ekip ndërkombëtar shpëtimi ka arritur të nxjerrë të gjallë një djalë 12-vjeçar, i cili kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja për pesë ditë pas tërmetit të fuqishëm që goditi Venezuelën.
Lajmi u bë i ditur nga ekipi i kërkim-shpëtimit Usar Ecuy-01, i cili, në koordinim me ekipin e Republikës Dominikane, shpëtoi Carlosin në lagjen Macuto, në qytetin bregdetar të La Guaira.
“Pas orësh të tëra pune në Venezuelë, ekipi ynë Usar Ecuy-01, në bashkëpunim me ekipin e Republikës Dominikane, arriti të shpëtojë Carlosin, një djalë 12-vjeçar që kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja në lagjen Macuto të La Guairas për pesë ditë pas tërmetit”, thuhet në një njoftim të publikuar në profilin zyrtar në platformën X nga ekipi i shpëtimit i Shërbimit Zjarrfikës të Distriktit Metropolitan të Quito-s.
Ndërkohë, më shumë se 100 shtetas venezuelianë, të riatdhesuar së fundmi nga Shtetet e Bashkuara, ndodheshin në një hotel në qytetin bregdetar të La Guairas kur vendi u godit nga dy tërmete të fuqishme, të cilat shkaktuan mijëra viktima.
Disa prej të mbijetuarve kanë rrëfyer skena kaosi, duke treguar se shumë persona mbetën të bllokuar nën rrënoja. Fluturimi i deportimit, i nisur nga Miami, kishte mbërritur vetëm pak orë më parë me 146 shtetas venezuelianë në bord, mes tyre 19 gra dhe shtatë fëmijë.
Sipas ICE Flight Monitor, një iniciativë e organizatës Human Rights First që monitoron fluturimet e riatdhesimit, pasagjerët ishin sistemuar përkohësisht në një strukturë akomoduese, ku do të kalonin natën përpara se të ktheheshin në banesat e tyre.
Sipas bilancit paraprak të publikuar nga autoritetet venezueliane, numri i viktimave nga tërmeti ka kaluar 1.700, ndërsa mijëra persona të tjerë rezultojnë të plagosur ose të zhvendosur.
La Guaira ishte një nga zonat më të goditura nga dy lëkundjet sizmike me magnitudë 7.2 dhe 7.5. /Panorama